Transmetuar më 21-04-2017, 15:56

Ndërkohë që dy raundet e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri u dogjën për shkak të mungesës së një kandidature, kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili bashkë me partinë që drejton dhe aleatët e djathtë ndodhen në protestë prej dy muajsh, erdhi më herët me propozim i ri.

“Të ndryshojmë Kushtetutën. Presidentin ta zgjedhë populli”, është kjo deklarata e bërë prej tij ditën e sotme nga çadra e protestës. Ai tha se opozita është ftuar këtë javë për zgjedhjen e Presidentit duke i kërkuar konsensus, por edhe duke kujtuar se votat i kanë.

“Ne i kemi paret, po hajde ta blejmë bashkë. Do blejmë ndonjë viç në treg? I kujt është Presidenti? Është i Ilir Metës, i Lul Bashës? I kujt është? Atëherë oferta ime është kjo, të zgjedhim President nga populli”, u shpreh Lulzim Basha.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar kreu i partisë “LIBRA” Ben Blushi, i cili ka mbështetur publikisht deklaratën e Bashës sa i takon alternativës për zgjedhjen e presidentit nga populli.

Me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, deputeti Blushi theksoi se ndihet mirë që më në fund PD ndryshoi mendim, ndërsa e ftoi publikisht opozitën që të japë firmat e duhura që vendi të shkojë njëkohësisht në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare.

“Presidenti dhe parlamenti të zgjidhen nga populli në një ditë. Lulzim Basha ka pranuar sot që Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Në qershor bashkë me Moza Hafizin, Arta Daden, Dashamir Shehin,Vangjel Dulen, Agron Dukën, Luljeta Arapin, Nard Ndokën,Tahir Muhedinin dhe Eduart Selamin kemi depozituar në kuvend një amendament kushtetues për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit.

Partia Demokratike nuk pranoi ta mbështeste njëlloj si Rilindja dhe LSI. Amendamenti kërkonte 28 firma dhe nuk u fut në votim. Më vjen mirë që PD ndryshoi mendim dhe e ftoj të na japë firmat e duhura për të shkuar në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale njëkohësisht në të njëjtën ditë qoftë 18 qershor apo kurdo. Populli le të zgjedhë”, shkruan Blushi./ b.l/noa.al/