Transmetuar më 21-04-2017, 14:58

Kryeministri Edi Rama i cilësoi investimet të vdekura, në rast se shtëpitë janë pa dokumente. Duke shpërndarë leje legalizimesh sot në Kukës, kreu i qeverisë foli lidhur me kritikat se pse organizohen takime të tilla për leje legalizimesh.

Ai tha se, “Ajo që është më e rëndësishme është që nuk kuptohet nga shumë, se lejet e legalizimit nuk janë thjesht kthimi i shtëpisë nga një strehë pa leje në një strehë me leje. Janë shumë më tepër se kaq. Sepse gjithë ato investime kolosale që janë bërë nga shqiptarët, janë investime të vdekura nëse këto shtëpi janë pa letra”.

Sipas tij, gjithë ky proces është zgjimi i një kapitali të vdekur në Shqipëri prej shumë vitesh. Po ashtu Rama tha, se nga një territor pa inventar ku nuk ishin të regjistruar as njerëzit, Shqipëria kthehet në një shtet me inventar.

“Secili me vënien në lëvizje të pasurisë të vet të patundshme mund të rrisë kontributet në familje”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama deklaroi se në tetë vitet e qeverisë së shkuar u bënë mbi 85 % legalizime, nga këto hotele, motele, magazina, ndërsa shtoi se ishin legalizime që kanë rritur shpenzimet e popullit.

Në këtë linjë tha se nuk kishte interes shteti të legalizonte shtëpitë e njerëzve të varfër, pasi ishin me rëndësi dhe fitim që të legalizoheshin hotelet dhe motelet. /a.y/noa.al