Transmetuar më 21-04-2017, 14:30

Një familje në Berat është terrorizuar nga persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët kanë hyrë për të vjedhur.

Natën e lënë pas, pak para mesnate, në fshatin Polizhan, në banesën e shtetasit A.Sh., kanë hyrë tre persona të armatosur dhe me maska.

Ngjarja ka ndodhur, rreth orës 23:50 të mbrëmjes së të enjtes, ku të dyshuarit kanë kërcënuar me armë të zotin e shtëpisë dhe personat që ndodheshin brenda banesës, ku më tej kanë vjedhur disa bizhuteri, një sasi lekësh ende e papërcaktuar dhe mjetin tip “Opel”.

Mësohet se përveç kërcënimit me armë, të zotët e shtëpisë nuk janë dhunuar, ndërsa grabitësit janë larguar duke humbur gjurmët.

Ndërkohë Noa.al, mëson se automjeti i vjedhur u gjet i braktisur në orët e para të ditës së sotme, në fshatin Fier Shegan, të Lushnjës.

Po ashtu burime nga policia bëjnë me dije për Noa.al, se një person është identifikuar dhe shpallur në kërkim, i dyshuar si një prej autorëve të grabitjes.

Ndërkohë aktualisht po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorëve të tjerë. /a.y/noa.al