Transmetuar më 21-04-2017, 13:02

Nëse procedohet si në rutinën e të dënuarve të derisotëm, Frroku mund të lirohet shpejt pasi përfiton nga përllogaritja 50 për qind më shumë për periudhën e paraburgimit dhe lirimin me kusht kur mbetet vetëm gjysma e dënimit për t’u vuajtur, pa llogaritur këtu dhe amnistitë e vazhdueshme që qeveritë japin për shumë vepra penale, mes të cilave dhe ato për të cilat u dënua Mark Frroku

Ish-deputeti Mark Frroku është shpallur i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit, në Belgjikë.

Vendimi u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila shpalli dënimin me 7 vjet e 6 muaj burg për akuzat e tjera të ngritura ndaj Frrokut, si ndërtim pa leje, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Në vendimin e saj, gjykata tha se nuk kishte prova që vërtetojnë akuzat e ngritura ndaj ish-deputetit, sidomos për atë të vrasjes dhe u mjaftua të japë dënim për akuzat më inferiore, teksa prokuroria kishte kërkuar 25 vjet heqje lirie si bashkim i dënimeve për të gjitha akuzat.

Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i Mark Frrokut, Vladimir Meçe, tha se do të apelonte dhe dënimin me 7 vjet e gjysmë burg për klientin e tij.

Për Meçen, rrëzimi i akuzës për vrasje ra sepse “kishte prova të mjaftueshme që vërtetonin pafajësinë për vrasjen e vitit 1999”.

Mark Frroku nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, por u përfaqësua nga dy avokatët e tij mbrojtës.

***

Nëse procedohet si në rutinën e të dënuarve të derisotëm, Frroku mund të lirohet shpejt pasi përfiton nga përllogaritja 50 për qind më shumë për periudhën e paraburgimit dhe lirimin me kusht kur mbetet vetëm gjysma e dënimit për t’u vuajtur, pa llogaritur këtu dhe amnistitë e vazhdueshme që qeveritë japin për shumë vepra penale, mes të cilave dhe ato për të cilat u dënua Mark Frroku. 

***

Më herët, organi i akuzës kishte kërkuar që Frroku të shpallej fajtor për krimet e mëposhtme:

Për akuzën “vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim” kërkoi dënimin 17 vjet burgim;

Për akuzën “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, kërkoi dënimin 3 vjet burg;

Për akuzën “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kërkoi dënimin 15 vjet burg.

Për akuzën “ndërtim të paligjshëm” kërkoi dënimin me 4 vjet burg. /noa.al/