Transmetuar më 21-04-2017, 10:37

Kryeprokurori Adriatik Llalla sheh si problem shqetësues kultivimin e lëndëve narkotike, ndërsa i jep një shuplakë të fortë policisë lidhur me bashkëpunimin mes dy institucioneve.

Ai ngriti si shqetësim zbulueshmërinë shumë të ulët të autorëve të këtyre veprave penale nga strukturat ligjzbatuese.

“Çdo ditë bëhen publike shifra për kapjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike. Bëhen publike dhe shifrat e asgjësimit, por nga ana tjetër ka mospërfshirje të prokurorëve. Pra asgjësohet droga në mënyrë joligjore, pasi policia nuk njofton prokurorin”, – u shpreh Llalla.

Sipas tij, asnjë prokuror nuk është njoftuar dhe nuk ka marrë pjesë në asgjësimet e sasive të mëdha të sekuestruara kohët e fundit.

Ai tha se në të gjitha rastet kur ka dyshime që provat materiale asgjësohen në mënyrë të kundraligjshme, do të fillojnë hetimet”.

“Prokurorë të caktuar në shkelje të normave procedura kanë filluar të shpërdorojnë detyrën e tyre. Kemi pasur një rast kur një prokuror në mënyrë të kundraligjshme kërkon pushimin e akuzave në Gjykatën e Lartë”, – tha Llalla sot në një aktivitet ku ishte i pranishëm dhe ministri i Drejtësisë Petrit Vasili. /a.y/noa.al