Transmetuar më 21-04-2017, 10:23

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thotë se ka disa që nuk duan zgjedhje fare, sepse nuk duan të përballen me të vërtetat.

“Ka ca që nuk duan zgjedhje, sepse duan destabilitet. Ka ca që nuk duan zgjedhje, sepse duan ta mbajnë peng Shqipërinë. Ka ca që nuk duan zgjedhje, sepse duan më shumë gjyqtarët e korruptuar, sesa ju! Ka ca që nuk duan zgjedhje, sepse duan më shumë pushtetin e tyre, sesa pushtetin tuaj, pushtetin që ju takon ju”, – deklaroi Saimir Tahiri.

Duke folur në një takim me të rinjtë në Kamëz pasditen e djeshme, ai shtoi se ka disa që nuk duan zgjedhje, se duan karrigen e tyre, nuk duan mirëqenie dhe punësim.

Sipas tij, në 18 qershor këto rrugë do ndahen, ku ose do shkohet të futen të gjithë bashkë në çadër, ose në 18 qershor do i tregohet Shqipërisë që Partia Socialiste dhe Edi Rama vlen aq sa për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën që duhet.

“Kush është sot 25 vjeç, ka lindur duke pasur Saliun në qeveri, në vitet ’90-të. Dhe është akoma sot që do të mbajë peng Shqipërinë. I njëjti njeri. Ne na duhet që ju, pikërisht ju, të rinjtë, të marrin në dorë fatin e tyre. Një gjë është të rrini para televizorit dhe të shikoni sherrin në parlament apo të shikoni sherrin te çadra, apo të shikoni këdo që do të mbajë peng Shqipërinë, dhe një gjë tjetër është të vendosni të lëvizni vetë”, – tha ai.

Më tej ftoi të rinjtë, që të bashkohen në fushatë dhe të bindin sa më shumë, në mënyrë që të kthehet faqja e historisë për Kamzën, e cila prej vitesh është bastion i së djathtës.

Tahiri tha se Kamza ka mbetur peng prej mbi 20 vitesh, por ai shpreh kam bindjen se “kjo skuadër fituese që jeni këtu, bashkë me Sadriun (Abazi), në 18 qershor do ktheni faqen e historisë për Kamzën”. /a.y/noa.al