Transmetuar më 21-04-2017, 00:21

Nga Ylli Manjani

Bosh...

Të gjithë po ikin! Me fëmijë e katandi. Po ikin... ku? Kudo vetëm jo këtu! Ikin...

Urrejtje për vendin? Ndoshta! E sigurtë është që politika, ajo që drejton vendin nuk bën! Ka vetëm sherr e shamata! Fjalë të mëdha e punë hiç!

Kriminelë e idiotë që fryjnë gushat e majme duke mërmëritur në emër të popullit që medemek i ka zgjedhur! Pika zgjedhjeve!

Nuk merren vesh me njëri-tjetrin?!S'e besoj! Vjellin vrerë aq sa i përçajnë njerëzit. Pastaj pajtohen, por njerëzit mbeten të ndarë!

Integrimi në BE? Fjalë pa kuptim! As vetë BE nuk e di përkufizimin e Integrimit.! Anëtarësimi është fjala e duhur! Por shqiptarët po ikin të "anëtarësohen" më shpejt se shteti i tyre! Për tu integruar andej, s'bëhet fjalë! Mendjen e kanë prap këtu!

Lajme,vetëm lajme! Punë jo e jo. Por as kulturë e art! Show me shalë jashtë dhe debate me fjalë fyese (jo detyrimisht të pisëta)! "Ta tregoj unë kush je ti"! Asnjë debat mbi idenë, vetëm për personin që hedh idenë! Pisllëk!

Njerëz që sta merr mendja duan të ikin! Të lajnë pjata diku në perëndim. Vetëm këtu të mos rrinë më! Krizë jo zgjedhore, as besimi! Nuk ka shpresë!

Hashashi nuk bëri fajde! Nuk i qetësoi njerëzit, përkundrazi i ngatërroi më keq. Tani edhe po i vret me njëri-tjetrin! Pritej deri diku, por jo kaq keq!

E ka fajin Republika?! Jooooo! Ç'faj ka Republika, nëse republikanët (jo PR) sillen si monarkë? Bëje si të duash Republikën, monarkët do sillen si dinë! Kushtetuta është dokument pa vlerë, në këto kushte!

"Nuk është demokraci, por hipokrizi"- thotë Prof Artan Fuga. Ka të drejtë! Ikja nga hipokrizia, është forma më e dukshme e protestës së shqiptarëve!

Shqipëria nuk braktiset nga varfëria sa ç'braktiset nga hipokrizia! Ka shumë që janë gati të pajatohen edhe me Autokracinë, mjafton të jetë e sinqertë! Kulmi, ku po katandisemi!

Puna konkurrohet denjësisht nga vjedhja! Nuk bën hajër me punë, jo! Vidh më mirë! Ose, ik! Sekterisu...

Po vendin kujt tja lemë? Edhe kalamajt po i edukojmë të IKIN! Po vijnë kinezë... Dikush thotë se po vijnë edhe Rusë!

Ndaj të bëjmë vettingun, që të tremben Rusët dhe Kinezët! Kështu i bie, se Shqiptarët ikën!

Ikën dhe po e lënë vendin Bosh...