Transmetuar më 20-04-2017, 22:24

Dhjetëra fëmijë shqiptarë ndodhen në situatë rruge. Ajo çka e bën më tragjikë këtë gjë, është se këta fëmijë ndodhen jashtë vendit, ku prindërit apo të afërmit i kanë lënë në mëshirë të fatit, vetëm për të marrë dokumentet.

Ky është një fenomen shqetësues, i ngritur më parë edhe në “Le Iene”.

Por Alfred Mirashi, një artist shqiptar që jeton e punon në Itali, së bashku me familjen e tij, sjell nga afër këtë fenomen të cilin e ka hasur në lagjen e tij.

Një ditë teksa çonte fëmijët në shkollë, ai ka parë një grup fëmijësh teksa po ziheshin me njëri-tjetrin. Teksa komunikoi pak me ta, kuptoi se ata ishin fëmijë shqiptarë të braktisur, pasi prindërit i kishin lënë aty.

Me konstatimin e këtij rasti, ai ka kontaktuar me mikun e tij Fatos Lubonjën, dhe së bashku kanë takuar disa prej këtyre fëmijëve.

Në një bisedë të shkurtër që kanë zhvilluar me njërin prej tyre, e transmetuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, djali i vogël tregon sesi ka udhëtuar me një familjarin e tij drejt Italisë, e më pas e kanë lënë aty.

Ai ka shkuar më pas në polici, ku edhe e kanë regjistruar në një shkollë komunitare. Djali thotë se së bashku me të ka edhe shumë fëmijë të tjerë shqiptarë, por edhe nga Kosova, e fëmijë të tjerë nga Afrika.

Të gjithë këta fëmijë janë në pritje të dokumenteve, siç thotë djali, arsye për të cilën edhe prindërit e tyre i kanë çuar drejt Italisë, me shpresën për një jetë më të mirë.