Transmetuar më 20-04-2017, 19:02

Kryeministri Edi Rama në një takim me të rinjtë në Durrës që votojnë për herë të parë u kërkoi votën e tyre për të ndërtuar në Shqipëri një shtet si në çdo vend të Europës.

Zgjedhjet e 18 qershorit sipas Ramës janë një garë ku politikaët duhet të jenë lojtarë dhe jo spektatorë. E me këtë ai ironizoi kreun e PD-së, Lulzim Bashën dhe Sali Berishën të cilët i krahasoi me lojtarët e Barcelonës që bëjnë shfaqje.

“Kam një fjalë për tifozët e Barcelonës. Mos u mërzisni fare, sepse ju keni Mesin, ata kanë Saliun, ju keni Neymarin, ata kanë Lulin. As tifozët e Bayern nuk duhet të mërziten. Futbolli është shfaqje, ne të gjithë jemi spektatorë të shfaqjes. Nuk ka rëndësi kush fiton dhe kush humbi, por kënaqësia. Ndërkohë që beteja për 18 qershorin nuk është shfaqje dhe ne nuk jemi spektatorë”, u shpreh Rama.

Më tej në fjalën e tij ai u shpreh se “Ne jemi të gjithë lojtarë, në një fushë ku beteja bëhet për Shqipërinë që duam me punë, ku prindërit tuaj që punojnë në shtet duhet të marrin dhe më shumë se sa marrin me pagat e rritura se qeveria jonë. Ku prindërit tuaj që punojnë në privat duhet të marrin edhe më shumë. Kjo është beteja e 18 qershorit. Beteja e 18 qershorit është beteja e gjithë vajzave dhe gjithë djemve që duan të shkojnë në Universitet”.

Rama u ndal edhe tek reforma në drejtësi. Ai foli për një mur që po pengon ecjen e vendit përpara. “Ai është muri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar që janë të lidhur me çadrën. Ndaj më 18 qershor, ta rrëzojmë këtë murë duke votuar për Partinë Socialiste”, vijoi ai.

Sipas Kryeministrit, Partia Socialiste është partia që udhëheq një transformim historik dhe vota e 18 qershorit nuk vendos një mandat 4-vjeçar, por vendos sesi do të jetë Shqipëria që ne duam./b.l/noa.al/