Transmetuar më 20-04-2017, 17:51
Publicitet

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT pas Ramës dhe Bashës i janë drejtuar sot me një letër kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Në letër ata shkruajnë se LSI nuk u është përgjigjur shqetësimeve të tyre.

“Gjatë këtyre katër viteve të fundit jemi takuar disa herë në zyrën tuaj. Por me keqardhje konstatojmë se pavarësisht qëndrimit tuaj akomodues ndaj nesh, shqetësimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër nga ana e partisë suaj”, shkruhet në letër.

Më tej ata kujtojnë se ka qenë Ministri i Drejtësisë i propozuar nga LSI z. Nasip Naço, i cili e bllokoi nismën e Ministrisë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të amenduar nenin 163 që përkufizon konceptin e bashkëjetesës në Kodin e Familjes.

Duke qenë se në jurisprudencën ndërkombëtare dhe në Kushtetutën e Shqipërisë e drejta për jetë familjare (jo përkufizimi për martesën) është një e drejtë themelore e njeriut, sipas tyre i është dukur joprofesional qëndrimi i ministrit, sipas të cilit kjo (e drejtë e njeriut) “nuk është prioritet”.

“Ju na premtuat se do t’i jepnit një zgjidhje kësaj çështje, zgjidhje që nuk erdhi kurrë. Më herët, po në zyrën tuaj, ishit të sinqertë kur na thatë se për ju çështjet tona janë çështje të reja, por meqë në statutin e partisë suaj e theksoni rëndësinë e integrimit të vendit në BE na premtuat sërisht se do ti konsideronit me vëmendje kërkesat tona.

Mirë po Ministrja tjetër juaja znj.Klajda Gjosha nuk ka folur asnjëherë publikisht për të drejtat e LGBTI që janë pjesë e prioritetit të pestë të procesit të integrimit të Shqipërisë. Për të gjitha sa më lart ne arrijmë në përfundimin që ju premtoni shumë por bëni pak për të mbajtur këto premtime. Prandaj ne urojmë që këtë komunikim ta konsideroni si një mundësi për të reflektuar. Urojmë t’ju shikojmë me 13 maj ora 11:00”, përfundon letra. /b.l/noa.al/