Transmetuar më 20-04-2017, 17:28

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi ka shpjeguar sot arsyet që e pengojnë LSI-në, sipas tij, që të hyjë në koalicion me PS për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, deputeti Blushi tha se LSI i druhet një procesi zgjedhor në të cilin nuk merr pjesë PD, pasi në këtë mënyrë do të ishin automakisht të humbur.

Sipas Blushit, nëse PD nuk merr pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, atëherë LSI ose detyrohet të jetë opozita, ose nuk i duhet Rilindjes për qeverinë, pasi kjo e fundit do t’i ketë mandatet e nevojshme, që vijnë si rezultat i mospjesëmarrjes së PD-së në zgjedhje.

“E gjithë kjo krizë është e brendshme në mazhorancë. Ato nuk po merren vesh për koalicionin. Kush i pengonte të regjistroheshin dje. Nëse i kërkojnë PD të respektojë kushtetutën dhe kodin zgjedhor, le ta respektojnë vetë.

E kanë shkelur me konsensus ligjin. LSI druan, apo ka frikë të hyjë në zgjedhje në kushtet që PD nuk hyn, se është në opozitë vetë. Rilindja është më e madhe se LSI. Në kushtet ku mungon PD, mandatet e tyre do jenë më shumë. LSI druan se nëse hyn pa PD do të jetë vetë në opozitë, ose do të jetë totalisht e panevojshme se Rilindja do t’i ketë votat vetë”, u shpreh Blushi.

Ndërsa i pyetur pse mendon se Meta do të bëhet president, Blushi thekson se nuk e ka thënë një gjë të tillë, por shprehet se djegia e raundeve për zgjedhjen e presidentit të ri janë në dëm të procesit. Sipas tij “një shumicë që thotë se ka votat nuk ka aftësinë t’i japë prestigj çështjes së presidentit”.

“Unë nuk e kam thënë këtë gjë, sepse nuk e di. Por kam lexuar veprime amatoreske të Ramës dhe Metës. Dhe më keq, se kaq, brutale dhe arbitrare. Këto janë në dëm të procesit. Raundi i parë i presidentit u dogj. Po kështu edhe raundi i sotëm. As solemnitet dhe prestigj nuk i dhanë këtij momenti.

Kur një president zgjidhjet njëherë në 5 vite. Një shumicë që thotë se ka votat nuk ka aftësinë t’i japë prestigj çështjes së presidentit. Të prezantojnë një kandidat e t’ia paraqesin njerëzve. Jo se nuk kanë një kandidat, po kërkojnë këtë ta lidhin me krizën e zgjedhjeve, gjejnë argumenti banal se po presin opozitën dhe në këtë mënyrë, heqim mundësinë që kërkesa e PD të bjerë. Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme s’ka vlerë kërkesa e PD”, tha Blushi. /b.l/noa.al/