Transmetuar më 20-04-2017, 15:44

Kreu i Kuvendit Ilir Meta në një dalje për mediat pas përfundimit të raundit të dytë për zgjedhjen e presidentit, tha se qëllimi i shtyrjes me një javë është përfshirja e opozitës si në procesin e zgjedhjes së presidentit ashtu edhe në zgjedhjet e përgjithshme. Në lidhje me koalicionin me PS, kryeparlamentari Meta tha se kjo nuk është çështja kryesore, por qëllimi është ti jepet kohë opozitës.

“Çështja kryesore nuk është çështja e koalicionit të PS me LSI, është e dhënies mundësisë në kohë PD dhe partive opozitare që nuk janë regjistruar as si subjekte për të marrë pjesë në këtë proces. Ky është thelbi kryesor i kësaj iniciative. Sa i përket vendimeve që marrin institucionet është çështje e tyre. Ne jemi për bashkëpunim, dialog dhe konsensus. Nuk duhet të paragjykojmë mënyrën e reagimit të opozitës. Duam që të marrë pjesë në zgjedhje dhe të garantohet që ato të jenë të lira e të barabarta”, u shpreh Meta.

Ndërsa i pyetur për zgjedhje të parakohshme, kreu i Kuvendit theksoi se nuk i shikon ato si një zgjidhje të situatës. “Nuk e shikoj si variant konstruktiv dhe të dobishëm, qëllimi është përfshirja e opozitës edhe në zgjedhje dhe në çështjen e presidentit të ri”, shtoi Meta.

Pas dështimit të dy raundeve të para për zgjedhjen e Presidentit të ri të Shqipërisë, Kuvendi ka caktuar datën dhe orën e saktë për zhvillimin e raundit të tretë. Kështu është vendosur që raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të zhvillohet më 27 prill ditën e enjte në orën 15:00. /b.l/noa.al/