Transmetuar më 20-04-2017, 14:33

Në Komisionin Qendror Zgjedhor ka nisur shqyrtimi i kërkesës së PS-së dhe LSI-së për shtyrjen e afateve të regjistrimit të koalicioneve. PS kërkon shtyrjen me një javë  të afatit të regjistrimit, ndërsa PD është kundër kësaj.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së Eridian Salianji bëri publik propozimin se “Shtyrja e afatit disa ditë nuk e cënon procesin. Afati nuk është i ngurtë dhe nuk jemi në një situatë normale. Për ne me rëndësi është zbatimi i kushtetutës dhe më 18 qershor të jenë të gjithë palët. Shtyrja disa ditë është mëse normale. Deri më datën 28 prill nuk cënohet procesi zgjedhor. Është kufi ligjor”.

Ndërsa PD nga ana e saj e prezantuar nga përfaqësuesi ligjor Ivi Kaso thotë se kërkesa PS e LSI nuk ka bazë ligjore. Sipas tij nuk ka vend për akrobacira. “Opozita i ka kërkuar KQZ të mos bëhet mashë e partive për të zgjidhur problemet që vetë kanë krijuar dhe vetë kanë në dorë të zgjidhin”.

KQZ-ja ka nisur tashmë shqyrtimin e kësaj kërkese.

Eridian Salianji (PS):  Ne kemi kërkuar shtyrjen e afatit disa ditë. Nuk cenohet kushtetuta për zhvillimin e zgjedhjeve në 18 Qershor. Afati nuk është i ngurtë. Në një situatë normale duhet të respektohet nga palët, por sot nuk është situata normale. Opozita dhe pozita janë duke negociuar për procesin zgjedhor. Për ne më e rëndësishme është që në 18 qershor të jenë të gjitha palët. Deri në 28 prill që kërkohet shtyrja nuk cenohet procesi zgjedhor. Koalicioni ynë është i konfiguruar, por meqë koalicioni opozitar nuk është regjistruar, kërkojmë këtë kohë nga KQZ.

Ivi Kaso (PD): Fjalimi i Salianjit ishte për në Parlament, por jo për në mbledhjen e KQZ-së. Problematika sot është shqetësuese. Edhe ndërkombëtarët e dinë këtë. Opozita është e detyruar të qëndrojë jashtë procesit zgjedhor që parashikohet të mbahet në 18 qershor. Shprehja e dashamirësisë nga mazhoranca ku i kërkohet mirëkuptim edhe KQZ-së për të drejtat e opozitës. Të drejtat e opozitës nuk janë dhuratë nga mazhoranca. Këto të drejta janë të garantuara në kushtetutën e vendit.

Eridian Salianji (PS): Ne kërkojmë që KQZ të mbajë qëndrim vetëm për afatin. Juve si KQZ u cënon shtyrja e afatit te regjistrimeve të koalicioneve procesin zgjedhor? Kjo është për ju si KQZ. I garantoni ju zgjedhjet e lira nëse shkelet ky afat një javor?

Ivi Kaso (PD): Cënim është çfarëdolloj shkelje e kodit. Nuk ka cënim më të rëndë që mund ti bëhet procesit sesa cënimi i besueshmërisë së KQZ-së. /b.l/noa.al/