Transmetuar më 20-04-2017, 12:36

Kryeministri Edi Rama thotë se çdo ditë është e rëndësishme për të vazhduar deri në fund përpjekjet për dialog dhe për të vazhduar rrugën e arsyes drejt Partisë Demokratike dhe disa partive të tjera rreth saj, rreth sistemit demokratik.

Duke folur sot në Kuvend kreu i qeverisë tha se nuk ka asnjë diskutim mbi çka nuk negociohet.

“Ne nuk negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë që sanksionon lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur siç e përcakton Kushtetuta. Ne nuk negociojmë mandatin që na e kë dhënë populli dhe që skadon në ditën e krijimit të qeverisë së re. Që do të thotë se të gjitha përpjekjet për të goditur qeverinë dhe 18 qershorin janë në thelb përpjekje për të goditur stabilitetin e vendit, demokracinë dhe për ta futur në një rrugë paqartësie që gjithçka mund të ndodh”, u shpreh Rama.

Ai tha se i siguron qytetarët se asgjë nuk do të ndodhë tjetër përveç asaj që përcakton Kushtetuta si detyrim që politika të paraqitet para tyre me oferta.

Rama shprehu angazhim për një reformë shteruese zgjedhore lidhur me gjithë rekomandimet e OSBE- ODHIR, duke thënë se mazhoranca mbetet e hapur për çdo ndryshim tjetër që mund të lehtësojë psikologjikisht Partinë Demokratike dhe mund të hapë rrugën për të hyrë të gjithë së bashku në zgjedhje para shqiptarëve.

Në këtë drejtim tha se është treguar i gjithë durimi dhe zemërgjerësia që përtej çdo kufiri me vitet e shkuara, për ti dhënë PD-së mundësinë për të shfaqur dhe thënë në tavolinë çfarë ka për të thënë për të përmirësuar Kodin Zgjedhor.

“Ne i kemi votat për të votuar Kodin Zgjedhor, por duam që të ndjekim rekomandimet e OSBE- ODHIR një nga një. S’kemi preferuar këtë rrugë dhe të thyejmë një traditë që ka qenë një traditë e imponuar nga fakti se nuk kanë ekzistuar shumicat e cilësuara e megjithatë duam t’i qëndrojmë deri në fund këtij parimi se ligjin e zgjedhjeve ta ndryshojmë së bashku”, tha Edi Rama.

Ndër të tjera shtoi se për rregullat e lojës, është detyrë e shumicës që pakica të ndihet e barabartë në procesion legjislativ dhe mbi të gjitha atë zgjedhor.

Lidhur me letrën që PS dhe LSI i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shtyrjen e afatit për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit, tha se letra është dërguar si koalicion.

Në këtë drejtim shtoi se KQZ-në nuk e detyron askush që të marrë një vendim me shumicën e saj për të prekur afatet zgjedhore, por se synon të shprehë vullnetin e mirë të koalicionit që deri në fund ti japë Partisë Demokratike që të marrë pjesë në zgjedhje.

“Ne nuk kishim asnjë motiv të regjistronim koalicionin, duke i mbyllur përfundimisht derën PD dhe partive të tjera. Kështu që ne jemi këtu për të konfirmuar edhe njëherë atë që kemi shprehur vazhdimisht, e kemi shprehur në mënyra të ndryshme, nuk jemi një parti, jemi koalicion”, tha Edi Rama.

Lidhur me sulmet ndaj letrës drejtuar KQZ-së, shtoi se nuk është plan strategjik për të garantuar karrigen, por për të garantuar reformën, dhe se nëse në këtë proces ka pasur qasje të ndryshme brenda koalicionit, sipas tij, kjo nuk ka nënkuptuar asnjë sekondë ndonjë lëvizje nga marrëdhënia kontraktuale me 1 milion njerëz që tha se i kanë votuar për të qeverisur në koalicion.

Por sipas tij, janë dy opinione të ndryshme se si mund të lehtësohet rruga e zgjidhjes për të nxjerrë PD nga një qorrsokak ku siç tha ai, është futur vetë.

Po ashtu tha se nuk i është dhënë ndonjë arsye PD për të pasur frikë nga reforma në drejtësi dhe për ti ikur seancës për ‘Vettingun’ si djalli temjanit, por se përfaqësuesit e saj nuk i përgjigjen një nevoje më shumë se çerek shekullore për t’i dhënë fund kapjes prej fyti të drejtësisë nga një kastë gjyqtarësh dhe prokurorësh të korruptuar që janë ngjitur si mishi me thoi me PD.

“Të gjitha janë alibi dhe janë përpjekje për të kënduar me zë të lartë në pyllin e frikës, sepse në fakt është frika nga drejtësia dhe pikërisht sepse nuk mund të votonin Vettignun për shkak të kësaj frike kanë frikë të dalin para popullit. Sepse kanë frikë ti shpjegojnë popullit pse duan një mandat tjetër kur refuzuan të votojnë Vettignun dhe duke i hapur rrugë zbatimit të reformës në drejtësi”, deklaroi Edi Rama.

Kryeministri tha se është e qartë se kjo është arsyeja themelore se nuk ka arsye tjetër që ta shtyjë partinë më të madhe të opozitës në përplasjen me të gjithë planetin, me të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. /a.y/noa.al