Transmetuar më 20-04-2017, 11:57

Gjatë fjalës së tij, në çadrën e protestës së opozitës, ish-Kryeministri Sali Berisha, tha se Shqipëria është kthyer pas në vitet 1990, duke bërë përgjegjës Kryeministrin Edi Rama. Për Berishën, vendi sot është në të njëjtën situatë si ajo e komunizmit, duke e quajtur godinën e kryeministrisë si pallatin e krimit, drogës dhe e dhunimit të votës.

“Sot, ulur këtu në këtë çadër, duke dëgjuar miqtë e mi, shikuar anash, më erdhi në mendje viti ‘90. Më erdhi në mendje viti kur këto ishin pallate krimi, ndërsa ne ishim në rrugë, luftonim, përpiqeshim, për Shqipëri tjetër, e lirive dhe votës së lirë. Sot, duhet ta themi haptazi, përsëri kemi dy botë, kemi ata që me sakrifica po lajnë këtë shesh, me ideale, për vete dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Kurse përballë, përsëri pallatet e krimit, drogës, dhunimit të votës. Edi Rama, këto kohë, i braktisur nga shqiptarët, ka dalë me moton, ‘Shqipëria e karriges sime’. Ajo që ai shkruan prapa shpinës së tij, ‘Shqipëria që duam’, nuk është gjë tjetër vetëm Shqipëria që do ai për karrigën e tij”, tha Berisha.

Deputeti demokrat, paralajmëroi Edi Ramën që të dëgjojë sa më parë zërin e opozitës, pasi në të kundërt do të ketë pasoja.

“Edi Rama më parë vret veten sesa ikën. Ai nuk e dëgjon zërin tonë. Por, e garantoj që ne do ta bëjmë të dëgjojë zërin tonë. Unë e garantoj se do ta dëgjojë, por më mirë ta dëgjojë me kohë sesa atëherë kur t’ia këpusë vetes në dy tëmthat. Uroj t’i vijë mendja dhe të pranojë zgjidhjen e ofruar, votën e lirë”, ishin fjalët e Berishës. /k.k/noa.al