Transmetuar më 20-04-2017, 11:28

Deputeti Ben Blushi thotë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duan të ndryshojnë afatet zgjedhore me një copë letër, jo me ligj.

Duke ju referuar letrës që PS dhe LSI i dërguan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të shtyrë afatin për regjistrimin e koalicioneve, ai e cilësoi si tentativë për të ndryshuar një kalendar zgjedhor, për t’i dhënë mundësi koalicionit të regjistrohet kur të dojë.

“Nëse KQZ çmendet, dhe vendos me shumicë votash të ndryshojë Kodin Zgjedhor, ka rënë. Përveçse nuk keni tagër t’i drejtoni KQZ-së dhe ti kërkoni ndryshimin e datës, ku ndryshon PD nga ju. PD thotë nuk njoh 18 qershorin, ju thoni s’njoh 18 prillin. Nëse keni shkelur 18 prillin, keni shkelur 18 qershorin”, u shpreh Blushi në seancën e sotme parlamentare.

Ai tha më tej se kur një njeri sëmuret shkon në spital, por kur një institucion çmendet shkon në gjykatë dhe kjo sipas Blushit, ka vetëm për një arsye, për t’i dhënë më shumë kohë.

Kreu i Libra, shtoi se koalicioni PS-LSI ka rënë dhe duhet të bjerë.

“Vetëm një shpjegim ka kjo t’i ikim reformës në drejtësi, të shtyjmë zgjedhjet. Ka vetëm një arsye të gjeni më shumë kohë për të mbyllur koalicionin”, deklaroi ai.

Duke folur për raundet për zgjedhjen e Presidentit të ri, Blushi tha se raundet nuk mund të bëhen ditë pas dite, duke pretenduar se po i jepet kohë Partisë Demokratike, por në fakt po tenton të fitojë kohë vetë PS dhe LSI.

Meta: Duam zgjedhje me opozitën

Ndaj deklaratës së deputetit Blushi, reagoi kreu i Kuvendit Ilir Meta, i cili tha se dëshira dhe vullneti pas letrës së drejtuar KQZ-së ka qenë për të evituar një krizë shumë më trë madhe se ajo procedurale.

Ai tha se kërkesa u bë për t’i dhënë më shumë mundësi Partisë Demokratike dhe partive të opozitës që nuk janë regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit, që të regjistrohen.

Duke folur për raundet për zgjedhjen e Presidentit, shtoi se vazhdimi i raundeve është për të treguar vullnetin për të bashkëpunuar me opozitën.

“Kushdo që është kundër këtyre veprimeve procedurale mund të ndjekë rrugën proceduriale. Besoj se të gjithë janë dakord që zgjedhjet është më mirë të bëhen me opozitën”, deklaroi Ilir Meta. /a.y/noa.al