Transmetuar më 20-04-2017, 10:10

Dalin detaje lidhur me lëndën narkotike të sekuestruar në Korçë gjatë ditës së djeshme. Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Kontrata” u sekuestrua 160 kilogramë kanabis sativa në Vithkuq, dy armë zjarri me municion, një armë gjahu, si dhe 3 aparatura lojëra fati.

Gjithashtu u arrestuan në flagrancë tre persona dhe u shpall në kërkim një tjetër.

Të arrestuarit janë Janaq Qirici, 52 vjeç, banues në Vithkuq dhe Aldo Kita, 26 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në bazë të disa informacioneve të siguruara si edhe gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e Qiricit, të cilin i’a kishte lënë në përdorim me kontratë qiraje Aldo Kitës në vendin e quajtur “Vaskat e Peshkut”, në afërsi të centralit elektrik në fshatin Vithkuq.

Konkretisht në pjesën e tavanit u gjet një sasi prej 23 kilogramë kanabis sativa e vendosur në dhjetë thasë plasmasi me ngjyrë të zezë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient tjetër bar-kafe në pronësi po të Kitës, në qendër të fshatit Vithkuq u gjetën re aparatura lojëra fati, një armë gjahu pa leje dhe dy pajisje grirëse për lëndë narkotike.

Në vijim të kontrollit të territorit, u bë arrestimi edhe i Pandeli Dines, 31 vjeç, banues në fshatin Vithkuq.

Si edhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i tij, A.H,. 24 vjeç, banues në Fier

Kjo pasi në banesën e Dines, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 137 kilogramë kanabis sativa, të vendosur në 15 thasë plasmasi, dy armë zjarri dhe municion luftarak, si dhe një makinë tip kamionçinë e markës “Mitsubishi” me targë AA 747 EF.

Ndaj të dyshuarve vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Korçës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. /a.y/noa.al