Transmetuar më 20-04-2017, 09:15

12 orë panik dhe ulërima. Një fshat i tërë në Indi, në distriktin e Bolangir, në shtetin e Orissa, u përfshi nga kaosi pasi një leopard hyri në fshat dhe nisi të sulmojë banorët.

Ngjarja ndodhi gjatë kësaj të hëne, kur Milan Rana pa leopardin brenda shtëpisë së fqinjit të tij Aniruddh. Në atë moment ai ndërhyri duke tentuar që ta bllokojë, por kafsha para se të arratisej e plagosi në fytyrë dhe në njërën dorë.

Burrat e fshatit dolën në rrugë, duke tentuar ta kapin, por njëri prej tyre Bijay Khuntia, mbeti i plagosur i sulmuar nga kafsha.

Ndërkohë një tjetër, Satyajit Kundakel, siç mund të shihni në videon që noa.al sjell më poshtë, u hodh nga një çati, në mënyrë që të shmangte sulmin e leopardit, duke pësuar disa lëndime trupore.

U deshën plot 12 orë, para se leopardi të kapej dhe të futej në kafaz. Por një zyrtarë i rojeve të pyllit, Rashmi Ranjan Nayak, tha se, “Sfida më e madhe ishte të mbaje nën kontroll njerëzit. Do e kishim kapur kafshën edhe para se banorët e fshatit të krijonin kaos”. /a.y/noa.al