Transmetuar më 20-04-2017, 08:09

Pasuria e Kryeministrit Edi Rama, bashkë me të birin të ardhura nga shitja e pikturave 33 mijë euro.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar 1.2 milion lekë të ardhura për vitin 2016 nga shitja e pikturave.

Në formularin e deklarimit të pasurive, një kopje të të cilit e ka publikuar ‘Panorama’ thuhet se kreu i Qeverisë ka pasur rrogë vjetore për 2016 në shumën 2 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat nga honorarët ishin 204 mijë lekë.

Për një vit Rama ka shlyer 35 mijë euro të një kredie të marrë në vitin 2013 në shumën 80 mijë euro. Atij i kanë ngelur pa shlyer edhe 30 mijë euro.

Ndërsa bashkëshortja, Lindita Rama ka deklaruar pakësimin e një llogarie bankare me 600 mijë lekë, ndërsa të ardhurat nga paga dhe puna si eksperte i ka pasur 3.1 milion lekë.

Ajo ka deklaruar gjithashtu të ardhura nga qiraja e një apartamenti në shumën 2 milion lekë si dhe të ardhura nga honorarë në shumën 814 mijë lekë.

Djali i kryeministrit Gregor Rama ka deklaruar shtesë llogarie 14 mijë euro. Të ardhurat e tij nga shitja e veprave të artit për vitin 2016 kanë qenë 25 mijë euro. Gregor Rama ka deklaruar te kategoria e detyrimeve dhe një kontratë qeraje 2 vjeçare, për të cilën duhet të paguajë 432 mijë lekë.