Transmetuar më 19-04-2017, 19:23

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha sonte se, ezaurimi i raundit të sotëm pa kandidat ishte një tregues i vullnetit për të respektuar procedurat, “por edhe i durimit për të patur mundësinë për të biseduar me opozitën për një proces sa më bashkëpunues e sa më konsensual”.  

“Dihet se kjo mazhorancë i ka numrat për të bërë një zgjedhje të plotë e legjitime të presidentit të ri. Por ky është një proces shumë i rëndësishëm ndaj dhe kërkon pjesëmarrjen edhe të opozitës”, tha z. Meta.  

Ai bëri me dije se Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që raundi i dytë të jetë ditën e enjte, ndërsa shtoi se ekziston koha për të diskutuar këtë çështje në tryezë me opozitën.  

“Do ta presim brenda gjithë mundësive tona, por kjo nuk mjafton pasi edhe opozita duhet të vijë. Shpresoj që java e ardhshme të shënojë fillimin e dialogut, gjë kjo e kërkuar edhe nga kryetari i PPE-së”, deklaroi z. Meta. 

I pyetur për mosregjistrimin e koalicionit PS-LSI në KQZ dhe akuzat për shkelje të Kodit Zgjedhor, Meta tha se sipas kësaj logjike i bie që opozita të përjashtohet përfundimisht nga pjesëmarrja në zgjedhje.

“Sipas kësaj logjike, i bie që opozita të mos regjistrohet më në zgjedhje. Sipas logjikës së zotit Oerd Bylykbashi”, – përfundoi Meta. /b.l/noa.al/