Transmetuar më 19-04-2017, 18:17

Komisioni i Ligjeve është mbledhur pasditen e sotme për të diskutuar kandidaturat për Presidentin e ri të Republikës. Asnjë emër nuk ishte paraqitur për kandidaturë. Kështu që, raundi i parë për kandidaturat për President është djegur.

Kryetarja e këtij komisioni Vasilika Hysi sqaroi se kandidatët për President do t’i nënshtrohen ligjit të Dekriminalizimit. Ajo saktësoi gjithashtu se raundi i dytë për kandidaturat duhet të zhvillohet jo më vonë se 7 ditë prej sot. 

“Kushtetuta përcakton që çdo kandidat duhet të mbështetet nga të paktën 20 deputetë. Kandidati për president duhet të plotësojë formularët e dekriminalizimit. Kandidati duhet të plotësojë formularët e pastërtisë së figurës. Raundi quhet i kryer edhe kur nuk ka kandidat. Komisioni dërgon raport parlamentit, ku theksohet se nuk ka asnjë kandidat”, u shpreh Hysi.

Raundi i parë u dogj pasi opozita është jashtë parlamentit, ndërsa mazhoranca nuk ka propozuar asnjë emër, pasi ka deklaruar se kërkon një figurë konsensuale që të ketë edhe pëlqimin e opozitës. /b.l/noa.al/