Transmetuar më 19-04-2017, 17:21

Kërkesa e PS dhe LSI për shtyrje të regjistrimit të koalicioneve është për t'i dhënë më shumë kohë PD-së. Kështu është shprehur sot kreu i Kuvendit Ilir Meta, nga qyteti i Fierit. 

Z.Meta i ka mëshuar sërish idesë së bashkëpunimit me opozitën duke e konsideruar këtë kërkesë të mazhorancës si përpjekje që synon të përfshijë edhe Partinë Demokratike në zgjedhje.

"Besoj se çdo përpjekje që synon t'i japë opozitës mundësinë që të përfshihet në procesin zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme duhet konsideruar si pozitive.

Dihet që PD dhe shumë parti opozitare nuk janë regjistruar në KQZ as si subjekte dhe as si koalicion ndaj unë besoj se kjo përpjekje për të vendosur një afat të ri për regjistrimin e partive dhe koalicioneve është një kontribut që jepet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe një mundësi për të gjithë që të kontribuojmë për një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme", tha Meta.

Më tej kreu i LSI-së theksoi se kjo është një përpjekje për t'i dhënë më shumë kohë jo vetëm PD-së, por edhe partive të tjera opozitare për shkak të zhvillimeve të deritanishme për të bërë përfundimisht jo vetëm regjistrimin por edhe koalicionet./b.l/noa.al/