Transmetuar më 19-04-2017, 16:57

Ish-gazetari dhe drejtuesi në fushën e marrëdhënieve publike, aktualisht pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, Alban Tartari, botoi sëfundi një punim të zgjeruar lidhur me fushën e MP në Shqipëri.

Ky punim vjen si një domosdoshmëri në studimet universitare dhe pas-universitare në shkencat e komunikimit, por edhe si një punim shkencor dhe udhëzues praktik lidhur me marrëdhëniet publike.

Ky punim vjen nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen shkencore të akademikut Prof.Dr. Artan Fuga dhe pedagogut të gazetarisë Prof. As. Dr. Mark Marku (recesentë).

Libri nis me trajtimin e aspekteve historike dhe teorike të marrëdhënieve publike, duke sjellë modelet ndërkombëtare dhe zhvillimin e kësaj fushe në 100 vitet e fundit duke nisur me studiuesin e parë Edward Bernays dhe duke ardhur deri në ditët tona.

Në vijim, institucionet shqiptare dhe më tej korporatat janë analizuar për mënyrën se si i kanë ndërtuar marrëdhëniet publike dhe si këto struktura komunikojnë me publikët.

Si janë të ndërtuara fushatat e MP?

Cilat janë nënkategoritë profesionale të kësaj fushe?

Cilat janë mjetet që përdoren? Profesionistë të njohur në Shqipëri të fushës së gazetarisë dhe asaj të MP janë intervistuar duke sjellë kështu eksperiencat dhe këndvështrimet e tyre lidhur me zhvillimin dhe ndryshimin e kësaj fushë ne 27 vitet e fundit.

Libri trajton teknikat e reja të MP veçanërisht përmes mediave të reja në rrjet si dhe trajtohen edhe ato që quhen “marrëdhënie publike personale”, që thuajse të gjithë përdoruesit e mediave sociale shpesh gabojnë në komunikimet e ndërtuara në llogaritë e tyre.

Marrëdhënia e komplikuar e MP me fushën e marketingut, trajtohet në detaje nga ana teorike dhe praktike duke qartësuar atë që edhe vetë profesionistët mund ta ngatërrojnë: çfarë është MP dhe çfarë reklama?

Gjithashtu, libri trajton edhe marrëdhënien e MP me gazetarinë.

Në këtë këndvështrim, një kapitull i veçantë i është dhënë etikës në fushën e MP; politikave rregulluese që mundësojnë mbarëvajtjen e punës në këtë fushë, dhe pengimin e rënies në propagandë apo në reklamë.

Libri sjell edhe një fjalorth të termave më të përdorur në fushën e MP si dhe përmban artikuj sugjerues për libra dhe filma lidhur me këtë fushë.

Në përmbyllje janë dhënë të plota edhe intervistat e profesionistëve të gazetarisë dhe marrëdhënieve publike.