Transmetuar më 19-04-2017, 13:28

Pas 22 vitesh te ky klub ai është kthyer në një legjendë për tifozët e ekipit anglez, që pas largimit të Lampard kishin John Terry-n si pikë referimi për besnikërinë ndaj fanellës.

John Terry zyrtarisht do të largohet nga Chelsea në fund të këtij sezoni. Nuk dihet çfarë klubi do të zgjedhë futbollisti për të vijuar karrierën, por fjalët e tij në letrën e lamtumirës nga Chelsea janë vërtet emocionuese.

“Ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. E ndjej që ende mund t’i jap futbollit, por e kuptoj gjithashtu se mundësitë e mia këtu janë të kufizuara tashmë.

Por 22 vjet në këtë klub kanë qenë jeta ime, duke më dhënë gjithashtu mundësinë të luaj përballë më të mirëve, të thyej rekord pas rekordi, duke rritur kështu dëshirën për të punuar më shumë për veten dhe skuadrën. I angazhuar gjithmonë arrita të bëhem kapiteni më i suksesshëm i Chelseat.

Ju dua pa masë dhe ju falënderoj pa kufi. Ju festuat me ne kur fituam dhe na mbështetët kur humbëm. Nuk do të mundem ta shpreh dot me fjalë dashurinë që kam për ju fansa”, shkruan Terry.