Transmetuar më 19-04-2017, 12:49

Një gabim i rëndë bëri që një fëmijë 3 muajsh të ndalohet për terrorizëm. Harvey Kenyon-Cairns duhet të kthehej në shtëpi, bashkë me familjen e tij ndërsa ishte nisur nga Londra drejt Orlandos, SHBA, por gjyshi Paul Kenyon, u përgjigj gabimisht “po” i pyetur nëse nipi kishte kryer ndonjëherë akte terroriste, gjenocid, aktivitetet spiunazhi apo sabotazh.

U bë fjalë për një gabim, por që mjaftoi që vogëlushi të ndalohej të udhëtonte drejt Orlandos gjatë javës së kaluar.

Gjyshi Paul, u detyrua të shoqërojë të voglin në ambasadën amerikane të Londrës, ku “terroristi i dyshuar” duhet të merrej në pyetje.

“Harvey u soll mirë gjatë gjithë pyetjeve, nuk qau asnjëherë. Mendova që ta çoja me pizhame portokalli si i burgosur, por e shmanga këtë pjesë, pasi ata të ambasadës nuk kishin aspak sens humori. Natyrisht nuk ka bërë as spiunazh dhe as gjenocid, por ka sabotuar disa herë gjumin”, thotë gjyshi i tij, shkruan noa.al.

Familja Kenyon, gjithsesi humbi 3 mijë dollarë në momentin e anulimit të fluturimeve të prenotuara. Vogëlushi “terrorist” u detyrua të qëndrojë me prindërit në Londër më gjatë, ndërkohë që gjyshërit u kthyen në shtëpi. /a.y/noa.al