Transmetuar më 19-04-2017, 12:34

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e një spitali privat. Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë foli për reformën në sistemin shëndetësor, duke thënë që tashmë ky shërbim ka marrë një kthesë të rëndësishme, por që është ende e paplotë.

“Shërbimi shëndetësor në Shqipëri ka marrë një kthesë të rëndësishme, një kthesë që ende është e paplotë. Patjetër që do të kemi një rrugë të gjatë, të vështirë, por të drejtë që të bëjmë të mundur që në Shqipërinë që duam, shërbimi shëndetësor të jetë pasqyrë e respektit që çdo qytetar kërkon”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka folur për një shërbim të unifikuar në shëndetësi. Ai tha se është e rëndësishme të ketë autonomi spitalore për të krijuar këtë sistem.

“E rëndësishme është të garantojmë që autonomia spitalore të krijojë një sistem ku pavarësisht nëse është spital që financohet plotësisht nga shteti apo privati, rregullat, procedurat për akreditimin, rivlerësimet periodike, këmbimi i informacioneve shëndetësore, klinik dhe individual të jenë të unifikuara, besoj se ky është modernizimi që i duhet shërbimit tonë shëndetësor”, tha Rama.

Ai u shpreh dhe për një ndarje të ministrisë së Shëndetësisë nga e gjithë infrastruktura spitalore, duke i lënë vetëm shërbimin spitalor.

“Ta ndajmë ministrinë e Shëndetësisë nga gjithë infrastruktura spitalore duke i lënë vetëm shërbimin spitalor, autonomi në administrimin e fondeve të institucionit, duke bërë që shërbimi ynë spitalor të hyjë në epokë të re dhe ministria e Shëndetësisë të hyjë në një epokë të re. Të mos jetë më pika ku grumbullohen të gjitha kërkesat, mblidhen të gjitha paratë dhe bëhen prokurimet”, vijoi më tej Rama. /b.l/noa.al/