Transmetuar më 19-04-2017, 11:50

Në kuadër të projektit të “Rilindjes Urbane”, ka filluar puna për transformimin për qendrës së qytetit të Cerrikut. I pranishëm, kryeministri Edi Rama, e vuri theksin te rëndësia që kanë për çdo zonë ndërhyrje të tilla.

 “Një transformim i madh për qytetarët. I jep tjetër atmosferë e sens komunitetit. Vlera e apartamenteve, njësive të shërbimi rriten, ashtu si edhe në të gjithë qytetet e qendrat e tjera ku është shtrirë Rilindja Urbane rigjallëron jetën e qytetit dhe jetën ekonomike”, theksoi kryeministri.

Edhe në qytetin e Belshit ka nisur puna për rikualifikimin e qendrës, ku janë shembur mbi 30 objekte pa leje rreth liqenit, dhe parashikohet ndërhyrje në të gjithë qendrën.

Po ashtu, ka rinisur rikonstruksioni i rrugës Cërrik – Urë Vajgurore, i ndarë në 3 lote, që pritet të shkurtojë me 20 kilometra distancën Tiranë-Berat. Kryeministri inspektoi punimet në lotin Belsh-Vlashuk, që lidh 10 fshatra të njësisë administrative Kajan.