Transmetuar më 19-04-2017, 11:33

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj prezantoi sot projektin “Open Data”, një portal i transparencës për Bashkinë e Tiranës, ku të gjithë qytetarët do të mund të gjejnë të dhëna të ndryshme për punët dhe investimet që kryhen në qytet.

Në prezantimin e projektit, Veliaj tha se informacioni nuk duhet të konsiderohet si një monopol, por si një mjet për të qenë i aksesueshëm dhe i dobishëm.

“Unë nuk besoj se do vijë ndonjë dëm, bashkisë, patjetër që do i shtohet vështrimi mikroskopi mbi punët e bashkisë, por më shumë se kaq do shtohet bashkëpunimi qytetar apo i aktorëve dhe i aktivistëve të tjerë mbi idetë brilante që mund të lindin vetëm nga statistikat që ne kemi”, u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë deklaroi se rritja e transparancës do të ndikojë drejtpërdrejt dhe në uljen e kostove.

“Besoj se dhe planifikuesit tanë do t’i bëjë shumë herë më alertë të mënyrës se si ne i shpenzojmë paratë tona dhe të nikoqirkllëkut që duhet të kemi në gen të mënyrës se si ne konceptojmë gjithë punët publike”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj garantoi se “open data” do të ketë publike të gjitha të dhënat duke qenë e hapur me publikun.

“Nëse ka një akuzë që unë e pranoj me kënaqësi është kjo që më mirë të akuzohem se japim më shumë informacion se dikush ka oreks se sa të ndodhi tipikisht ajo që ka ndodhur në vende si Shqipëria, ku qeveritë kanë dhënë shumë pak informacione, çdo gjë është mbajtur e fshehtë, asnjëherë publiku nuk ka pasur dijeni se si shpenzoheshin paratë publike. Statistikat e bashkisë do të analizohen dhe do të kemi këshilla konkrete për gjërat që duhen përmirësuar”, deklaroi kryebashkiaku.