Transmetuar më 19-04-2017, 10:56

Një helikopter i aviacionit luftarak grek, me pesë persona në bord, është rrëzuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, në një zonë malore.

Më herët, pati një njoftim se helikopteri, i llojit UH-1H Huey (Hjui), u zhduk nga radarët, por më vonë rezultoi se mjeti fluturues ishte rrëzuar.

Helikopteri ishte nisur nga një bazë ajrore në Larisa, me destinacion qytetin e Kozanit.

Në mesin e personave, përveç ekuipazhit, ishin edhe dy oficerë të lartë. Ende nuk dihet fati i tyre.

Katër orë më vonë, agjencia zyrtare e lajmeve, ANA-MPA, bënte me dije se helikopteri u lokalizua në vendin e quajtur Sarantaporos, rreth 50 km nga qyteti i Kozanit.

Në vengjarje kanë mbërritur ekipet e shpëtimit, ndërsa ende nuk ka asnjë njoftim për fatin e pesë ushtarakëve. /k.k/noa.al/