Transmetuar më 18-04-2017, 16:16

Aleanca e LGBTI dhe Pro LGBT përmes një letre zyrtare i ka kërkuar sot kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha që opozita të mos pengojë mbarëvajtjen e paradës së tyre të 6-të për shkak të çadrës që është vendosur në Bulevard.

Në letër thuhet se parada do të mbahet më 13 maj, ndërsa do të nis nga Pallati i Kongreseve dhe do të vazhdojë përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit".

Më poshtë letra e plotë:

Drejtuar: Kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha

Për dijeni: Policisë së Shtetit

I nderuar zoti Basha,

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, dy organizatat kryesore për të drejtat e komunitetit LGBTI do të zhvillojnë më 13 maj të këtij viti ora 11.00 paradën e 6-të me biçikleta të quajtur Tirana Gay (P)Ride. Ky aktivitet është një mundësi e jashtëzakonshme për fuqizimin dhe inkurajimin e komunitetit LGBTI në Shqipëri. Ashtu siç Ju mund të jeni në dijeni, ky komunitet jeton një jetë të ngarkuar me paragjykime që ndikojnë në marxhinalizimin dhe përjashtimin social. Për pasojë, aktivitete si Parada e Tiranës synojnë të japin mesazh lirie, mesazh që besojmë se përputhet me kauzën e opozitës që Ju drejtoni.

Ditën e sotme, 18.04.2017, ne organizatorët e Paradës kemi njoftuar Policinë e Shtetit në përputhje me legjislacionin në fuqi për aktivitete dhe tubimet publike. Në komunikimin tonë më policinë kemi kërkuar që Parada të nisë nga Pallati i Kongreseve, të vazhdojë si çdo vit tashmë mespërmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe të vijojë përgjatë lumit Lana, ndërsa në kthim, të kalojë përmes ish-Bllokut dhe të mbarojë tek Presidenca.

Duke qënë se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ju jeni duke protestuar për një kauzë që apelon për liri do të shpresonim shumë që prania e çadrës së opozitës të mos pengojë mbarëvajtjen e Paradës sonë. Deri më tani, protesta juaj ka qenë paqësore dhe ne shpresojmë që militantët dhe aktivistët e partisë suaj të jenë gjithashtu paqësorë gjatë kohës kur ne do të parakalojmë me biçikleta në korsinë e lirë në krahun lindor të çadrës.

Përfitojmë nga ky komunikim zyrtar me ju, t’ju ftojmë të mbështesni kauzën tonë për liri dhe dinjitet ashtu siç bëjnë politikanët në Hollandë, vend vlerat demokratike të të cilit ju i njihni mirë, si dhe në të gjitha vendet e tjera të zhvilluara.

Në pritje të një përgjigje nga ana juaj,

Ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

Xheni Karaj Kristi Pinderi