Transmetuar më 18-04-2017, 15:08

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike do të na shoqërojnë edhe gjatë ditës së mërkurë duke bërë që vranësirat dhe shirat të jenë dominuese. Shira më të dendur do të bien në zonat veriore e qendrore të territorit.

Po ashtu edhe orët e pasdites do të vijojnë me vranësira dhe shira ku herë pas here do të jenë rrebeshe të shoqëruar me stuhi ere të fortë. Gjatë natës do të parashikohet të ketë dobësim të intensitetit të shirave në vend.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të rriten lehtë gjatë orëve të mëngjesit ndërsa mesdita do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe e fortë në det me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi jugperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim mbi 3 ballë.

Europa

Pjesa më e madhe e kontinentit të Europës do të jetë në ndikimin e qendrave të presionit të lartë atmosferik duke bërë që moti të jetë i qëndrueshëm. Konkretisht me mot të kthjellët paraqiten: gadishulli Iberik, ishujt britanike, Europa qendrore si edhe vendet skandinave.

Ndërsa, gadishulli i Ballkanit do të dominohet nga vranësira dhe shira të dendur të shoqëruar me stuhi të forta ere, situatë kjo e ndikuar si pasojë e zhvillimit të një qendre me presion të ulët atmosferik në veri të Ballkanit. /b.l/noa.al/