Transmetuar më 18-04-2017, 14:57

Shtatzënitë e afruara me njëra tjetrën shtojnë rrezikun që foshnja të preket nga autizmi. Është ky alarmi i një studimi amerikan i Columbia University, i publikuar në revistën shkencore “Pediatrics”.

Të dhënat duket se flasin qartë, femrat që ngelen shtatzënë sërish brenda 12 muajve nga lindja e mëparshme, rrezikojnë tre herë më shumë që të sjellin në jetë fëmijë autik.

“Bëhet fjalë për një statistikë, që i shtohet këshillës për të pritur nga një vit deri në tre për të ngjizur një shtatzëni tjetër, si dhe për të parandaluar peshën e paktë të foshnjës”, thuhet në studim.

Në studim u përfshinë 663 mijë fëmijë të lindur në California, SHBA, mes viteve 1992 dhe 2002, duke konstatuar se fëmijët e lindur në më pak se 12 muaj larg ardhjes në jetë të vëllait më të madh, rrezikojnë 3.4 herë më shumë që të preken nga autizmi, krahasuar me fëmijë të tjerë të lindur në të njëjtën periudhë por me më shuam distancë nga vëllai apo motra e madhe.

Nga sa duket, rreziku reduktohet ndjeshëm sa më të largëta të jenë dy lindjet nga njëra tjetra. Kështu që këshilla për nënat e reja, është që të mos planifikojnë fëmijë tjetër shumë shpejtë pas lindjes, shkruan noa.al.

Një tjetër faktor që duhet ditur është se shtatzënia pas moshës 40- vjeçare rrit rrezikun që fëmija të preket nga autizmi. /a.y/noa.al