Transmetuar më 18-04-2017, 11:57

Nëse Bashkimi Europian nuk i hap rrugë Shqipërisë për anëtarësim, nuk përjashtohet mundësia e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Është kjo deklarata e fortë e kryeministrit Edi Rama, i cili në një intervistë për gazetën “Politico”, ka bërë thirrje që Bashkimi Europian të jetë më i hapur me Ballkanin.

“Askush nuk dëshiron që vendi i tij të jetë i vogël, të gjithë duan një bashkim të madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë, nuk ka vend, atëherë mund të ndodhë një bashkim i tillë”, ka thënë ndër të tjera kreu i ekzekutivit shqiptar.

Po ashtu, Rama tha se Ballkani do të “çmendet” nëse nuk vlerësohet nga Unioni. Për kryeministrin, procesi i anëtarësimit nuk duhet të braktiset, pasi kjo do të kishte kosto të mëdha.

“Ka një problem në të kuptuarit dhe në mungesën e vizionit , Ballkani ka nevojë për Europën dhe Europa për Ballkanin. Si mund ta lejojë Bashkimi Europian “zemrën” e saj të jetë në zonën gri”. Ka deklaruar kryeministri Rama. /k.k/noa.al/