Transmetuar më 17-04-2017, 21:28

Qeveria gjermane është treguar mjaft e ashpër sot me opozitën shqiptare duke i dhënë asaj një grusht të fuqishëm dhe duke detyruar liderin demokrat Lulzim Basha që në takimin me MPJ gjerman, të bëjë një sërë sqarimesh, pas deklaratave të forta të kryediplomatit të Berlinit duke shkuar deri aty sa të akuzojë opozitën se me veprimet e saj po largon Shqipërinë nga BE.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, pas një takimi me kryeministrin Edi Rama në zyrën e këtij të fundit, doli para mediave dhe si kurrë më parë një zyrtar i nivelit të tillë, theksoi mëse tre herë, se ato që po thoshte ishin qëndrim jo vetëm i tij si MPJ por edhe i qeverisë dhe kancelares aktuale, Angela Merkel.

“Ajo çka po them këtu në Tiranë nuk është thjesht pikëpamja ime personale, por dhe pikëpamja e qeverisë federale, pikëpamja e zonjës Kancelare Merkel. Ne të dy jemi anëtarë të partive social-demokrate dhe shpesh mund të interpretohet si pikëpamja jonë e përbashkët në këtë drejtim, por më lejoni dhe një herë të nënvizoj që ky është një pozicionim i qeverisë federale, i cili është mjaft i qartë rreth asaj çka duhet të ndodhë këtu dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Pasi bëri këtë sqarim që e përsëriti dhe më pas, z.Gabriel kritikoi qeverinë “Rama” kur tha se entuziazmi fillestar i Procesit të Berlinit, “ndërkohë ka një lloj dyshimi përsa i përket ngadalësimit të këtij Procesi”. Këtu, z.Gabriel pohoi se Gjermania “mezi pret” të ndihmojë deri dhe financiarisht Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në projektet e tyre, por shtoi se “Shqipëria ndërkohë na ka bërë të qartë që ka dhe mangësi të ndryshme teknike, për t’i realizuar konkretisht këto projekte”. 

Menjëherë më pas, Gabriel doli te pika kryesore dhe më e shtjelluar e fjalës së tij. “Pikërisht në këtë moment, kur bëhet fjalë për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë apo procesin e Vetting-ut, na shqetëson kur vendi është i ndarë në dy pjesë, pra, kur deputetët e përzgjedhur për të qenë e për të zhvilluar punën e tyre në parlament e bojkotojnë atë. Kjo nuk është diçka e pranueshme, apo e kuptueshme nga ana jonë. E më lejoni ta përsëris se ky nuk është opinioni im personal, por është ai i qeverisë federale, së bashku dhe Kancelares federale që përfaqëson CDU/CSU në Gjemani, të cilët kanë shkruar gjithashtu një letër përkatëse këtu në Shqipëri”, – tha z.Gabriel.

Duke theksuar se apelojnë për rikthimin e opozitës në Parlament, Gabriel bëri thirrje që të realizohet procesi i vetting-ut dhe reformës në sistemin e drejtësisë.

Kurse nënvlerësoi maksimalisht shqetësimin e fortë të demokratëve për zgjedhje jo të lira nëse bëhen me Ramën kryeministër, kur tha se mjafton që ndërkombëtarët të sjellin disa vëzhgues ashtu siç rëndom ndodh në çdo proces zgjedhor 25 vitet e fundit në Shqipëri.

“Nëse opozita ka shqetësime përsa i përket zgjedhjeve të lira e të ndershme, ka një mundësi për t’u kujdesur për t’i pasur këto zgjedhje të lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për këtë. Të sjellim më tepër vëzhgues zgjedhorë, të diskutojmë më tepër sesi mund të formësohet dhe financimi i fushatave elektorale, por për këtë mund të diskutohet në parlament e jo në çadër. Ndaj ne këshillojmë me urgjencë që ky bojkot i parlamentit të përmbyllet në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të lira e të ndershme”, – tha z.Gabriel.

Ai përforcoi deklaratën e tij kur shtoi: “Nëse zgjedhjet bojkotohen, apo nëse vendi kësisoj kalon në një situatë kaotike, sigurisht për këtë nuk mund të kemi mirëkuptim e nuk mund të ofrojmë mbështetje”.

Gabriel akuzoi rëndë opozitën kur tha se “kush bojkoton parlamentin, ai largon vendin prej BE-së dhe dëmton interesat e qytetarëve të vendit të vet”.

Rama lë Gabrielin të merret me opozitën

I ndjerë mjaft komod me deklaratat e ashpra të Gabrielit, kryeministri Rama, në daljen e përbashkët për media ku nuk u lejua asnjë pyetje, nuk foli fare për krizën politike në vend. /a.b/noa.al/