Transmetuar më 17-04-2017, 21:07

Prej kaq kohësh ishin të lidhur me njëri-tjetrin në një raport jo vetëm personal por edhe biznesi.

Por në rastin më të parë që u zbulua nga policia, vajza 17-vjeçare greke u dorëzua dhe arriti deri aty sa të fuste në kurth 26-vjeçarin shqiptar.

Gjithçka ndodhi dje në ishullin Rodos të Greqisë, raporton noa.al duke cituar burime nga policia lokale.

Vajza, një 17-vjeçare greke nga Rodos, në mënyrë të përsëritur shkonte në Athinë me anije dhe kthehej.

Çdo herë kapte një sasi kokaine dhe e sillte në ishull tek djaloshi shqiptar.

Kështu edhe këtë fundjavë. Vajza mori pakon prej 50 gramë kokainë, që në tregun e zi narkotik shkon 5 mijë euro dhe u nis me anije nga Pireu (Athinë) drejt vendbanimit.

Kur arriti në portin e ishullit, destinacioni nuk ishte më rruga drejt të riut shqiptar, por ngecja në duart e një grupi policësh antidrogë. Në foton që sjell noa.al shihni drogën dhe sendet e tjera që iu sekuestruan vajzës.

E mitura u bllokua nga policët të cilët kishin krijuar dyshime, ndoshta nga lëvizjet e përsëritura të vajzës me anije dhe e shoqëruan në zyrën antitrafik ku e morën në pyetje.

Duket se vajza është dorëzuar lehtë dhe ka treguar fill e për pe gjithçka duke “shitur” djaloshin shqiptar.

Më tej ka pranuar ta fusë dhe në kurth policor atë. Ndaj me orientimin e policëve e ka telefonuar duke i thënë se kishte mbërritur dhe mund të takoheshin që të merrte “mallin”.

Djali e ka besuar dhe u afrua tek vendi i takimit. Atje u “mbyt” nga moria e policëve që u afruan sapo vajza erdhi dhe i dha sasinë e kokainës ashtu siç e porositën policët.

Në ato momente, të riut iu vunë prangat dhe ai kuptoi se kishte rënë në një kurth policor.

Dyshimet janë se vajzës i është ushtruar presion derisa ka spiunuar partnerin e saj shqiptar.

Policia arrestoi emigrantin dhe shoqëroi të miturën greke. Prokuroria e Rodos vendosi të procedojë penalisht edhe prindërit e të miturës, nën akuzën penale të mbikëqyrjes së ulët dhe neglizhencë prindërore. /a.b/noa.al/