Transmetuar më 17-04-2017, 13:24

Kryeministri Edi Rama priti sot delegacionin kinez, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri i Parë i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Zhang Gaoli.   

Kryeministri Rama, duke evidentuar faktin se Kina aktualisht ka investimet më të mëdha në Shqipëri, theksoi se presim që këto investime të jenë pikë referimi për të mirëpritur investime të tjera.

Nga ana e tij zëvendëskryeministri i Kinës shprehu urime për punën e kryer në këto vite dhe në reformat e ndërmarra. Pala kineze theksoi se pozicioni i Shqipërisë në rajon është strategjik dhe se e shohin të nevojshme rritjen e mekanizmave të bashkëpunimit ekonomik për të nxitur investimet private.

Palët vendosën se duhet intensifikuar puna e Komisionit Ekonomiko-Tregtar, një nismë e dy vendeve që shqyrton potencialet e mundësitë për bashkëpunim. Në takim u dakordësua që ministrat e linjës të shkëmbejnë listat e projekteve strategjike në Shqipëri, për të parë hapësirat ku mund të zgjerohet bashkëpunimi.

Palët vendosën në parim mbajtjen e një tjetër takimi pas dy muajsh në Kinë, për të parë ecurinë e Komisionit me projekte konkrete për bashkëpunim midis dy shteteve. /b.l/noa.al/