Transmetuar më 17-04-2017, 08:30

Prokuroria për Krimet e Rënda jep emrat e të arrestuarve në radhët e policisë së portit të Durrësit, si dhe në doganat e Qafë Thanës, Durrësit e Tiranës lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë.

Gjatë këtij operacioni të kryer pasditen e djeshme, e diel, janë arrestuar 18 zyrtarë policie.

Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, është urdhëruar arrestimi i një numri të lartë personash, ndër të cilët 10 punonjës policie në portin e Durrësit, përfshirë edhe shefin e stacionit policor, si edhe 8 doganierë të Qafë Thanës, Durrësit e Tiranës, të dyshuar se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 ton kanabis sativa nga Shqipëria në Itali, në shkurt dhe mars 2017.

Për të gjithë këta persona, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Trafikut të narkotikëve”, në bashkëpunim. Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”, të cilat u zbatuan nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, si edhe Policisë së Shtetit, për zbatim.

Ky hetim përfshin dy episode, rasti i parë, i ndodhur në datën 5 shkurt, kur në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë Thanës.

Rasti i dytë ka ndodhur në datën 24 mars, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis në bord.

Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane për kapjen e këtyre ngarkesave me lëndë narkotike, ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, Prokuroria vlerëson se, bazuar në veprimet e punonjësve të policisë kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganor, Qafë Thanë, si edhe atyre të Portit Durrës, Doganës Durrës dhe Doganës Tiranë, ekziston një formë e organizuar bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjeteve kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali.

Të dyshuarit e këtij hetimi janë të përfshirë në njërin ose në të dy episodet, të cilat janë pjesë e të njëjtit procedim penal.

Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore për këtë rast, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për katër doganierë të Qafë Thanës dhe konkretisht, Ymer Blloshmi, doganier, përgjegjës turni; Iliras Malja, doganier pranimi/verifikimi; Maliq Kadilli, agjent doganor dhe Kastriot Topulli, agjent doganor, Qafë Thanë.

Ndërkohë në portin e Durrësit janë arrestuar 11 të tjerë: Gëzim Dervishi, specialist në Policinë e Portit Durrës; Mexhit Xhixha, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës; Roland Metani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës; Agron Kapllani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës; Gentian Selmani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës; Medi Demiri, kontrollor, Policia e Portit, Durrës;             Fatmir Plaku, kontrollor, Policia e Portit, Durrës; Julian Doraci, Shef i Stacionit Policor, Porti Durrës; Edmond Luzi, doganier eksporti, Porti Durrës; Behar Sula, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës dhe Nezir Bardhoshi, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës.

Ndërkohë arrestimet janë shtrirë edhe në doganën e Vorës, ku janë arrestuar Ylli Vogli, doganier peshore, Dogana Vorë (Tiranë), Vladimir Ziu, doganier regjimi, Dogana Vorë (Tiranë) dhe Erald Kulla, agjent doganor, Dogana Vorë (Tiranë). /a.y/noa.al