Transmetuar më 16-04-2017, 17:02

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vizitoi sot fshatin Dervician të Bashkisë së Dropullit dhe kishën e “Fjetjes së Shën Mërisë”, ku u mikprit ngrohtësisht nga Kryetari i Bashkisë Arhilea Decka, nga drejtuesit vendorë dhe klerikë, ish-deputetë dhe ish-ministra si dhe nga banorë të shumtë.

Pasi vizitoi Kishën e vjetër të Dervicianit dhe u njoh me historinë e saj të hershme dhe rindërtimin pas periudhës së diktaturës, Kreu i Shtetit shqiptar uroi përzemërsisht festën e shenjtë të Pashkëve të krishtera duke theksuar se kjo ditë i shërben ringjalljes dhe ripërtëritjes së besimit në Zot, por edhe edhe tek forca e pashtershme njerëzore.

Më pas Presidenti Nishani zhvilloi një bashkëbisedim të hapur në sheshin kryesor të fshatit Dervician në prani të autoriteteve vendore, klerikëve dhe banorëve vendas, Gjatë përshëndetjes së tij, krahas urimit të përzemërt për festën e Pashkëve, Presidenti Nishani vlerësoi rolin dhe modelin pozitiv të minoritetit grek në Shqipëri, që shërben si urë lidhëse miqësie dhe bashkëpunimi mes dy popujve dhe vendeve fqinje. “Virtytet e ndershmërisë, integritetit, të seriozitetit i shërbejnë jo vetëm bashkëjetesës dhe harmonisë, por edhe ndërtimit të së ardhmes së përbashkët të vendit tonë.” – theksoi Presidenti Nishani.

Krahas vlerësimi të punës që autoritetet vendore bëjnë në shërbim të rritjes së cilësisë së qeverisjes dhe plotësimit të nevojave te qytetarëve, natyrisht edhe me mbështetjen e ndihmesën e pushtetit qendror, Presidenti i Republikës nënvizoi edhe mirënjohjen institucionale të Kreut të Shtetit ndaj komunitetit grek që gjithmonë ka qenë një qendër historike e mikpritjes, respektit, e punës dhe dinjitetit e integritetit, vlera nga të cilat frymëzohet mbarë shoqëria shqiptare.

Duke folur për vështirësitë e së kaluarës, Presidenti Nishani theksoi se ajo nuk duhet harruar, por se duhet kthyer sytë drejt së ardhmes për “të shfrytëzuar në maksimum të gjitha shanset dhe mundësitë që ofron koha e sotme, Rinia duhet të ruajë traditat, zakonet dhe kulturën e të parëve, sepse ato janë emancipim, integritet dhe dinjitet, port ë gjithë së bashku që nga Kreu i Shtetit e deri te qytetarët e thjeshtë duhet të përpiqen për më të mirën për të ndërtuar e përmirësuar jetën, veten, komunitetin dhe vendin tonë të përbashkët. Secili prej nesh duhet të vërë një gur në ndërtesën tonë të përbashkët. Dhe në këtë aspekt komuniteti grek shërben si burim frymëzimi.”

Gjatë veprimtarisë u luajtën këngë dhe valle tradicionale dropullite, dhe vizita e Presidentit Nishani në Dervician u kurorëzua me dekorimin e Ansamblit të Dropullit me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

“Dëshiroj të vlerësoj personalisht por edhe institucionalisht, dimensionin e kulturës e të trashëgimisë suaj të rrallë, si një visar i vyer i fondit të artë të trashëgimisë sonë kulturore, pasurinë tuaj të madhe muzikore, etno-grafike, valet këngët, kostumet, që i keni ruajtur e trashëguar brez pas brezi.” – u shpreh Presidenti Nishani./a.k/noa.al/