Transmetuar më 16-04-2017, 14:28

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uroi sot besimtarët e krishterë për festën e Pashkës. Ai vizitoi Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse, ku i ka uruar festën kreut të besimtarëve ortodoks, kryepeshkopit Anastas Janullatis. Më pas urimin e tij Veliaj e ka përcjellë edhe për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë dhe qytetarët e Tiranës në veçanti, duke theksuar se kjo ditë duhet t’u shërbejë çdo kujt për të ringjallur shpresën.

“Pavarësisht nëse dikush është i krishterë, apo mysliman, tradita e harmonisë fetare është diçka që e kurojmë çdo ditë dhe nuk mund ta marrim të mirëqenë. Disa gjëra që kanë qenë kështu për qindra vjet, nëse nuk kurohen përditë zhvlerësohen, ndaj si Bashki e Tiranës, me të gjithë grupet bashkiake u urojmë të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse janë të krishterë apo të besimeve të tjera, Gëzuar Pashkët!”, tha Veliaj. 

Ai shtoi se kremtimi i kësaj dite duhet të shërbejë si një mesazh edhe për politikën, për të lënë mënjanë dasitë e vogla të ditës dhe të bëhen bashkë për të mirën e përbashkët.

“Ne të politikës, ndoshta në ditë si sot, duhet të jemi pak me turp, kur shohim si myslimanë e të krishterë që përqafohen, pajtohen, urojnë njeri tjetrin, nuk ka asnjë arsye që ne, mes shqiptarësh, në parti të ndryshme politike, të mos gjejmë gjuhën e të lëmë inate të vogla personale për të mirën e vendit, për të mirën e qytetit dhe të Shqipërisë. Besoj që kjo ditë na kthjellon pak më shumë për të kuptuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se ato që na ndajnë dhe një Shqipëri e mirë është e mundur, e kemi vetë në dorë, që përtej kapriçove e inateve të punojmë për një vend më të mirë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.

Më pas ai mori pjesë në pritjen e organizuar nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë me rastin e Pashkës si dhe në drekën e dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore, Imzot George Fendo për fëmijët në situatë rruge dhe familjet në nevojë.