Transmetuar më 15-04-2017, 14:23

“Muaj më parë, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Kryebashkiakun e Përmetit morëm një vendim të përbashkët që “Guri i Përmetit”, ky monument i rëndësishëm të rijetëzohet. Kështu mori jetë një projekt i përbashkët midis Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Përmetit për të kryer restaurimin, por dakordësuam edhe për një projekt të veçantë si ndriçimi skenografik, që do ta kthejë “Gurin” në një far të qytetit”, u shpreh nga Përmeti, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Ditën e premte në qytetin e Përmetit nisi punën kantieri më i ri i ndërtimit në trashëgiminë kulturore, “Guri i Përmetit”, projekt i Ministrisë së Kulturës, Institutit të Monumenteve dhe Bashkisë së Përmetit. Ministrja Kumbaro ndoqi nga afër fillimin e punimeve, shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Përmetit, Niko Shupuli.

“Guri i qytetit të Permetit” ndodhet në veri të zonës qendrore të qytetit, është i vendosur në një hapësirë të gjelbër prej 4500 m2. Projekti konsiston në rijetëzimin e monumentit të kulturës nëpërmjet rikualifikimit të zonës, rivitalizimin e ‘Gurit’ dhe kthimin e kësaj zone në pikë interesi.

“Besoj se është një nga projektet e suksesshme të përbashkëta me Bashkinë e Përmetit, siç janë të gjitha projektet e tjera të kantierit Rilindja Urbane. Nuk mund të jetë më Përmeti një destinacion i anashkaluar dhe ca më keq i harruar, siç ka qenë deri më sot nga harta jo vetëm e qarkut të Gjirokastrës, por edhe më gjerë, sepse Përmeti ka një pasuri të jashtëzakonshme të pasurive natyrore, kulturore, shpirtërore, që është meritë vetëm e përmetarëve dhe paraardhësve të tyre”-u shpreh Kumbaro.

Idea kryesore e këtij projekti është krijimi i një traseje përgjatë së cilës do të ketë shkëmbim informacioni kultoror e artistik. Projekti bazohet në krijimin e tri hapësirave kryesore: Tuneli, shkallët, rrënoja dhe në evidentimin e vlerave të tyre nëpërmjet ndriçimit dekorativ dhe funksional. Projekti “Guri i Përmetit” kap vlerën e investimit prej 8.560.848 lek dhe pritet të përfundojë në harkun kohor të dy muajve. /b.l/noa.al/