Transmetuar më 15-04-2017, 12:53

Rreth 300 nxënësit që studiojnë në Shkollën e Bashkuar në Veri të Shëngjergjit do të kenë shumë shpejt mjedise më të mira sportive, të cilat jashtë orëve të mësimit mund të shfrytëzohen edhe nga komuniteti.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Xhemal Qefalia, inspektoi punimet që po realizohen për ambientet e reja sportive në këtë shkollë, ku theksoi se Bashkia e Tiranës ka si prioritet të sajin edhe investimet në zonat rurale, në mënyrë që kushtet të jenë të njëjta si në qytet, ashtu edhe në fshat.

“Po nxitojmë të mbyllim brenda afatit një mujor të gjitha punimet në tre fushat e reja që kemi këtu në Shëngjergj. Kjo do të thotë se 300 fëmijët që studiojnë në këtë shkollë meritojnë të kenë të gjitha kushtet, të njëjtat terrene me cilësi, siç i kanë shkollat në ish Bllok, brenda Unazës së Tiranës apo edhe ato të rejat që po bëjmë në zona të tjera”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se ky është një standard që respektohet njësoj si në qendër të Tiranës, ashtu edhe në Shëngjergj, një nga njësitë më të thella të kryeqytetit. “Tirana është bërë e stërmadhe.

Sot jemi në një zonë që është më afër Librazhdit se sa qendrës së Tiranës, dje ishim në një zonë që ishte më afër Krujës se sa qendrës së Tiranës. Parimi është: në Tiranë ecim vetëm me marshin e pestë. Nuk kemi një Tiranë, e cila ecën shpejt në qendër dhe më ngadalë në periferi. Besoj se strategjia jonë është balancimi i investimeve”, tha ai.

Duke siguruar qytetarët se Bashkia e Tiranës do të vijojë me të njëjtin ritëm investimesh deri në fund të mandatit, Veliaj nënvizoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit edhe me pushtetin qendror, si e vetmja  garanci për transformimin e kryeqytetit.

“Do të vazhdojmë me këtë frymë deri në fund të mandatit. Njerëzit duhet të kuptojnë se fati i investimeve të bashkisë është i lidhur me atë të qeverisë. Ndaj, në datën 18 qershor do vazhdojmë në të njëjtin drejtim, me Edi Ramën kryeministër dhe me PS-në në krye të punëve të vendit”, u shpreh Veliaj. /b.l/noa.al/