Transmetuar më 15-04-2017, 08:33

Gjykata e Tiranës ka deklaruar fajtor për “korrupsion” një ish-mjek të spitalit “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet, i njohur edhe si Sanatoriumi. Sipas Gjykatës, ai kishte marrë shuma nga 1-6 mijë lekë nga pacientë, të cilëve u kishte ofruar shërbim mjekësor, në zbatim të detyrës së tij funksionale, shkruan “Panorama”.

Hetimi ndaj mjekut Albert Leka nisi në shkurt të vitit 2015, pas një denoncimi të bërë në postën elektronike të Kryeministrit, Edi Rama, nga ana e një ish-mjekeje të këtij spitali.

Sipas vendimit të shpallur pak ditë më parë, i pandehuri Leka, i gjykuar në gjendje të lirë, u fajësua për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 2 vjet burg, dënim që u ul në 1 vit e 4 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Leka nuk do të shkojë në qeli, pasi përfundimisht gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e lënë në Shërbimin e Provës për një periudhë 3-vjeçare. Referuar vendimit, në shkurt të vitit 2015, në e-mailin e Kryeministrit është përcjellë një ankesë e një ish-mjekeje të spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku denoncohej një rast korrupsioni nga mjekë të këtij spitali. Pas këtij momenti, e-maili i është dërguar Seksionit Kundër Korrupsionit, në rrugë elektronike, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Nga deklaratat e ish-mjekes, ka rezultuar se: Shtetasit P. H. dhe Albert Leka, me profesion doktorë të imazherisë në spitalin “Shefqet Ndroqi” Tiranë abuzojnë me detyrën, pasi kryejnë dhe ofrojnë shërbimin e skanerit, grafisë dhe ekos, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm, të cilët në të vërtetë duhet të paguajnë për këtë shërbim në buxhetin e shtetit, me mandatpagesat përkatëse.

Në lidhje me këtë fakt, Gjykata e Tiranës, më 25 shkurt 2015, ka pranuar kërkesën e prokurorisë për lejimin e përgjimit të bisedave me mjete teknike, audio ose video, në ambientet e Imazherisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Tiranë, me afat 15 ditë.

“Nga procesverbalet e transkriptimit të përgjimit, pamjeve filmike të personit nën hetim, Albert Leka, është provuar se pacientët nxirrnin kartëmonedhat e prerjeve të ndryshme dhe ia linin në tavolinë të pandehurit, që më vonë ky i fundit i fuste në sirtar, pastaj në xhepin e tij.

Po sipas këtyre procesverbaleve të transkriptimit, ka rezultuar se në këto ambiente janë zhvilluar vizita nga doktori, i pandehuri Albert Leka, dhe në përfundim të tyre, qytetarët kanë paguar shuma të ndryshme parash nga 1000 deri në 6000 lekë, secili rast”, thuhej në vendimin e gjykatës. Më tej, gjykata arsyetonte se nisur nga këto të dhëna, rezulton se i pandehuri Albert Leka u ka kërkuar përfitime të paligjshme në funksion të detyrës së tij pacientëve të ndryshëm, të cilëve u ofron shërbimin.