Transmetuar më 14-04-2017, 21:56

Qytetari Pashk Pjetri tregon në emisionin "Stop" se në shkurt të 2012 i kërkuan të paraqitet në Prokurorinë e Shkodrës, ku i thanë se kishte mashtruar dy gra, duke u marrë nga 5 milionë lekë, për t’i shpëtuar nga burgu. Pashku thotë se as që i njeh dy gratë në fjalë, Valbona Smajli dhe Luiza Matilla.

Madje edhe këto të fundit deklaruan në gjykatë se nuk kanë njohje me Pashk Pjetrin. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme, që Pashku të çlirohej nga akuza. Ai bëri 9 muaj e gjysmë burg në burgun e Shën Kollit dhe sot kërkon pafajësi e dëmshpërblim. Emisioni Stop komunikoi me dy zonjat dhe me njërën prej tyre Luzia Matllia bëri edhe ballafaqim. Por mes tyre nuk rezultoi asnjë njohje dhe Luiza e pranoi këtë fakt.

"Më datë 12 shkurt 2012 vjen një thirrje nga Prokuroria e Shkodrës për tu paraqitur. Menjëherë u paraqita pranë Prokurorisë së Shkodrës. Atje u njoha me çështjen që kishte kaluar prokurori karshi meje. Ti je akuzuar thotë se ke mashtruar dy gra, duke u marrë 5 milionë lekë të dyjave, për tu rregulluar punë të mos futeshin në burg. Unë jam një punëtor i thjeshtë edhe sot jam punëtor i thjeshtë", tregon Pashku.

Gazetarja: Mos ndoshta ke qenë sekser i ndonjë prokurori dhe gjykatësi?

Në asnjë lloj mënyre. Unë nuk njoh asnjë prokuror, as gjyqtar dhe as femrat që më ka akuzuar prokurori se u kam marrë lekë. Në gjykatë kur erdhën gratë "e huaja" thanë se nuk e njohim Pashkun.

Kush ka bërë kallëzim ndaj teje?

Vetëm prokurori, këto nuk kanë bërë kallëzim karshi meje. Pas paraqitjes së parë që bëra tek prokuroria pas 20 ditësh erdhën më arrestuan.

Më datë 13 mars 2012 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër vendos caktimin ndaj shtetasit Pashk Zef Pjetri të masës së sigurimit "arrest me burg" parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

"Qëndrova në burg 9 muaj e gjysmë. U futa më 20 mars 2012 dhe dola më datë 30 dhjetor 2012. Gjatë periudhës që ndjenja në burg nuk erdhi njeri për të më sqaruar se për çfarë arsye unë jam në burg. Kam qenë nën akuzën "mashtrim dhe bashkëpunim".

Me kë kishit bashkëpunuar?

Janë edhe katër të tjerë. Nuk bëhet fjalë të hyjë njëri në burg. Të gjithë interesat e tyre i mbajta unë. Unë nuk kam bashkëpunuar me asnjë.

Sipas akuzës që ka marrë Pjetri mbi "ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" thuhet se një ndër bashkëpunëtorët e tij është Alketa Broci. Gazetarja e emisionit telefonoi Alketën për tu lidhur me dy akuzueset të cilat janë të mashtruara.

Në emisionin tonë ka ardhur një qytetar që quhet Pashk Pjetri. Ai ka marrë një dënim prej 9 muajsh sepse presuopozohet që ka mashtruar Luiza Matllian dhe Valbona Smajlin.

Keni informacion për këto dy zonjat se ku ndodhen. Ju e njihni Pashkun?

Alketa- Po, jam njohur gjatë seancave gjyqësore.

Po më përpara e keni takuar?

Jo se kam takuar asnjëherë.

A keni bashkëpunuar me njeri tjetrin?

Se njoh fare.

Ju të dy akuzoheni se keni bashkëpunuar duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Është e vëretët kjo?

Jo nuk është e vërtetë.

Po atëherë pse ju kanë dënuar? Pashkun 9 muaj dhe ju 10 muaj?

Po sepse nuk kemi mundësi që ta ndjekim, o zonjë.