Transmetuar më 14-04-2017, 13:08

Këshilli Kombëtar i Territorit i mbledhur nën drejtimin  Kryeministrit Edi Rama po diskuton sot Planin e Përgjithshëm Vendor për Tiranën që do t’i hapë rrugën zhvillimit të saj.

Duke e cilësuar “dokument spekulativ” planin e vjetër të miratuar nga Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Lulzim Bashës, Rama tha se përmes këtij plani të ri, krijohet një perspektivë e re për të gjithë kryeqytetin duke harmonizuar investimet në zonat urbane me ato rurale.

“Fatmirësisht ky dokument nuk u vu dot në jetë dhe sot merr jetë një model krejtësisht i ri, i ndërhyrjve të mirëmenduara. Një plan që ndryshe nga planet klasike, është një adoptim i inteligjencës së territorit duke shfrytëzuar më së miri potencialet  e territorit dhe duke mirëkuptuar traditën, kohën e zhvillimit dhe mendësinë në këtë territor. Është një plan për qytetin dhe për qytetarët”, tha Rama.

Rama e cilësoi sheshin “Skënderbej” si xhevahirin më të çmuar të kurorës së rilindjes urbane. “Plani i jep një perspektivë zhvillimi përtej asaj që tanimë po kthehet në realitet me ripërtëritjen fenomenale të aksit të Brazinit, me sheshin "Skënderbej” që është edhe xhevahiri më i çmuar i kurorës së Rilindjes Urbane ku transformimi fantastik, si dëshmitar okular i përpara disa ditëve në kantier, kam mbetur realisht pa gojë kur kam parë se çfarë hapësire urbane po krijohet dhe së shpejti do të jetë në dispozicion, jo vetëm të qytetarëve të Tiranës, por dhe të gjithë atyre që  e vizitojnë Tiranën si një surprizë e jashtëzakonshme nga kryeqyteti i shqiptarëve”, vlerësoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se Tirana ka ende sfida përpara, siç është dhe ajo për transportin, por që marrin një adresim të saktë me kurajo dhe me vizion. Rama vlerësoi dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbërta në Tiranë.