Transmetuar më 13-04-2017, 16:52

Pas një sërë shtyrjesh të takimeve, deklaratave për mosshitje, e informacioneve se Berluskoni do të vijonte të ishte President dhe pronar i Milanit, tashmë është rënë dakord që Milani të shitet.

Mediat italiane kanë shkruar se është arritur marrëveshja mes Fininvest-it, pronare e 99.93% të aksioneve të klubit kuqezi dhe një grupi investitorësh kinezë që do të paguajnë 740 milionë euro (përfshirë 220 milionë euro borxhe) për të blerë të gjitha aksionet e klubit 7 herë fitues të Ligës së Kampionëve.

Operacioni është mbyllur praktikisht pak pas mesditës, kur Li Yonghong derdhi në arkat e shoqërisë kuqezi 370 milionë eurot e fundit pas dy kësteve të mëhershme nga 100 milionë, duke marrë në pronësi 99.93 për qind të aksioneve.

Firmat do të vijnë më vonë gjatë ditës, ndërsa kalimi përfundimtar i klubit te pronarët e rinj do të bëhet nga fundi i vitit. /noa.al/