Transmetuar më 13-04-2017, 15:31

Kuvendi i ka hapur dritën jeshile qeverisë që të nisë negociatat për të firmosur marrëveshjen e ndërtimit të kullës ikonike në Tiranë, e cila parashikohet të jetë edhe ndërtesa më e lartë në vendin tonë, plot 350 metra.

78 deputetë të Kuvendit votuan pro ndërtimit të saj, ndërsa njëri abstenoi. Firmosja e kësaj kontrate dihet të kalonte me çdo kusht nga Kuvendi duke qenë se firma arabe që do ta ndërtojë ka kërkuar të përjashtohet nga taksat.

Në këmbim të projektit ku do të investohen 250 milion dollarë, forma kërkon përjashtim nga çdo lloj takse për 15 vjet dhe faljen e 25 mijë metrave katrorë truall në fund të bulevardit të ri të Tiranës, meqenëse do të punësojë 6000 njerëz gjatë ndërtimit dhe 3000 pas përfundimit.

Në total vlera ekonomike e kësaj vepre nëse shitet arrin në 483 milion dollarë. Ambientet do të kenë si qëllim banimin, dhënien e shërbimeve dhe hotelerinë. Kompania arabe ka premtuar se do të përfundojë ndërtimin për 3 vjet.