Transmetuar më 11-04-2017, 15:27

Kryeministri Edi Rama thotë se ulja e TVSH-së për shërbimin e akomodimit të turizmit nga shkalla standarde prej 20% në 6%, do të nxisë formalizimin e sektorit dhe do e bëjë turizmin shqiptar më konkurrues në garën e ashpër rajonale për thithjen e turistëve.  “Ishim jashtë konkurrence, sepse gjithë rajoni e ka TVSH nën 10%, ne e kishim 20%. Për çdo vend, për çdo klient, për çdo krevat 20% taksë e shtetit ishte shumë. Kjo rriste shumën e informalitetit. 6% jemi në pikën më të ulët në rajon dhe do të jetë bum i madh edhe për rritjen e klientelës, por dhe për formalizmin e hoteleve, sepse do ta kenë shumë më të thjeshtë t’i deklarojnë të ardhurat, jo të bëjnë hile”, u shpreh sot Rama gjatë një bisede me një operator turistik.

Lehtësi të shumta këtij biznesi i janë ofruar nga Ministria e Ekonomisë, pasi tashmë ata janë në procesin e certifikimit të guidave.

Ministrja Milva Ekonomi tha se ajo që u bë fillimisht është se u nda në QKB regjistrimi midis tur operatorit dhe agjencisë dhe se u certifikuan guidat dhe po bëhet standardizimi i hoteleve.

“Më pas vendosëm edhe një formë kreditimi të pikëve që këta marrin në një hapësirë kohore prej 2 vjetësh në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve dhe Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe të Rinisë. Ka një udhëzim të përbashkët tani. Si mund të pikëzohemi për të qenë guida më profesioniste në të ardhmen. Është për t’u vlerësuar që numri i turistëve në Shqipëri këtë vit ka qenë një bum i paparë, 4 milion ee 731 mijë turist, më shumë se 15% krahasuar me vitin e kaluar,” shpjegoi ministrja Ekonomi.

Nga ana e tij kreu i qeverisë tha se Rilindja Urbane ka rolin e saj të rëndësishëm në atraksionin turistik që ofrojnë zona me rëndësi historike deri dje të lëna në harresë totale dhe gati inekzistente.

Rama tha se rol kryesor ka pasur ndërhyrja që është bërë për t’i dalë në mbrojtje edhe për t’i ripërtërirë pak nga pak gjithë parqet e rëndësishme, qoftë natyrore, qoftë arkeologjike.

“Në 24 prill ne hapim Apolloninë. Është bërë restaurimi me rreth 750 mijë euro. Pas 30 vjetësh është vënë dorë. Tani është spektakël. Ka pasur rritje 17.5% të vizitorëve. 17.5% të vizitorëve në 2016 në krahasim me 2015 nuk janë pak. Janë vizitorë që konsumojnë, flenë, kalojnë kohën në këto pika, që kanë të bëjnë të gjitha me programin e Rilindjes Urbane”, deklaroi Rama.

Duke u ndalur tek turizmi malor, një perlë më vetë që ofron natyra shqiptare, Kryeministri tha se potencialet për të rritur të ardhurat nga turizmi në përgjithësi janë shumë të mëdha.

Në këtë drejtim shtoi se gjithë çfarë është bërë me lumin e Valbonës, me ndryshimet në Tropojë duke e kthyer në një qytet mikpritës, ka sjellë rritjen intesive të investitorëve që shkojnë në Valbonë në fundjavë.

“Ka filluar intesivisht ndërtimi i bujtinave si dhe transformimi i shtëpive në bujtina. E njëjta gjë ndodh në Malësinë e Madhe, nga Tamara e lartë, deri në Vermosh. Me Thethin, besoj se do ketë një impakt shumë të madh. Ka qenë 1 miliardë e 200 e ca milion të ardhura vitin e kaluar vetëm nga turistët. Kemi potencial për të shkuar në 5 miliardë në vit,” u shpreh Kryeministri.