Transmetuar më 11-04-2017, 14:43

Dramat në familjet shqiptare nuk kanë të sosur për shkaqe ekonomike, fatkeqësi dhe probleme të ndryshme. Por familja Koçi me banim në Tiranë, ka pësuar një humbje të madhe, vajza 19- vjeçare është ndarë nga jeta para kohe.

Pasditen e djeshme, rreth orës ora 17:50, tek varrezat në Tufinë, është gjetur i shtrirë dhe i gjakosur në njërën dorë, Shyqyri Elez Koçi, 63 vjeç, banues me qira në Tiranë.

63- vjeçari nën efektin e alkoolit ka prerë damarët e dorës mbi varrin e së bijës dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spital.

Noa.al mëson se Shyqyriu ishte i divorcuar, pas dhunës së ushtruar ndaj së shoqes, e cila ishte pajisur me urdhër mbrojtje.

Ai jetonte i vetëm në një banesë me qera dhe prej kohësh kishte shfaqur shenja mërzie dhe depresioni. I marrë në pyetje në spital, ku ndodhet për mjekim pas tentativës për flijim, 63- vjeçari u tha oficerëve policorë: “Isha në varreza, takova vajzën dhe prindërit që nuk jetojnë më”.

Pikërisht siç burime nga policia i thanë Noa.al, mbi varrin e së bijës 19- vjeçare të ndarë nga jeta, Shyqyriu i preu damarët me një mjet prerës, duke thënë se donte të bashkohej me të bijën dhe se pa vajzën dhe prindërit, jeta e tij nuk kishte kuptim.

Po ashtu Koçi tha para uniformave blu se nuk kishte më arsye për të jetuar dhe se pas humbjes së të bijës para kohe, për shkaqe që nuk bëhen me dije nga policia, mërzia kishte arritur kulmin dhe jeta e tij kishte marrë tatëpjetën.

Gjithashtu pas divorcit me të shoqen dhe asaj çka kishte ngelur nga familja, vetëflijimi ishte menduar si zgjidhje prej tij.

Rrethanat e kësaj ngjarjeje të dhimbshme ndoshta kanë ende detaje për t’u sqaruar, ndërkohë që mësohet se Shyqyriu ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e bluzave të bardha. /Arjola Ymeraj/noa.al