Transmetuar më 05-04-2017, 12:55

Ishulli i Sazanit do të hapet për turistët gjatë sezonit veror që po afron. Turistët do lejohet që të kryejnë vizita turistike në ishullin e Sazanit, gjatë sezonit turistik veror nga 1 maji deri më 31 tetor 2017.

Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për lejimin e turistëve për vizita turistike në ishullin e Sazanit.

Marrëveshja që ka për qëllim zhvillimin e turizmit dhe promovimin e tij, u firmos nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.

Ministrja Ekonomi falënderoi ministren Kodheli për gatishmërinë e treguar për të kontribuar në rritjen e turizmit në vendin tonë, duke vënë në dispozicion të tij, pronat që administrohen nga Ministria e Mbrojtjes.

“Fakti që ne lejojmë turistët të kalojnë në ishullin e Sazanit disa çaste turistike kur konsumojnë turizëm në vendin tonë, padyshim që është një lehtësim i madh për turizmin vendas. Një nga kushtet që turistët kanë pasur vazhdimisht në vëmendjen e tyre, ka qenë siguria, kështu unë ju falenderoj shumë për këtë vëmendje të veçantë që bëtë për vënien në përdorim të ishullit të Sazanit dhe për të nxitur më tej përdorimin atraksionin turistik Sazan”, tha ministrja Ekonomi.

Nga ana e saj ministrja Kodheli e konsideroi turizmin si një degë shumë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare dhe për këtë shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion të turistëve, asetet e Ministrisë së Mbrojtjes që ndodhen në vendet turistike, duke e vënë theksin te siguria.

“Sot bota, sidomos brigjet e Mesdheut janë të trazuara dhe të shqetësuara për shkak të gjithë ngjarjeve gjeopolitike në këtë zonë dhe shumë turistë sot preferojnë të mos frekuentojnë vende me një rrezikshmëri të lartë. Ajo çka ne duhet të sigurojmë është siguria e bregdetit tonë, gjë për të cilën ne punojmë çdo ditë. Por njëkohësisht për vetë faktin që shumë nga repartet ushtarake ndodhen në vende të spikatura të një bukurie të veçantë natyrore siç është bregdeti shqiptar, ne duhet dhe mund të krijojmë mundësinë e vizitimit të këtyre zonave edhe nga turistët, e cila e bën sigurisht më atraktiv të gjithë qëndrimin e tyre”, u shpreh Kodheli.

Nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, mundësohet lejimi i turistëve për kryerjen e vizitave turistike në ishullin e Sazanit, i cili është pronë në përgjegjësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Marrëveshja përcakton gjithashtu edhe orarin dhe zonat që mund të vizitohen në këtë ishull.