Transmetuar më 04-04-2017, 13:09

Për ministrin e Financave, Arben Ahmetaj s’ka asnjë dyshim se rritja ekonomike mund të vijë vetëm nëpërmjet reformës në drejtësi, dhe se kjo e fundit po e mban peng zhvillimin ekonomik. Në një dalje për mediat, kreu i financave tha se ata që kanë bllokuar reformën në drejtësi kanë bllokuar edhe punësimin e shqiptarëve.

“Pa reformën në drejtësi nuk do të kemi dot rritje ekonomike, nuk do kemi dot atë shtet që duam, nuk do kemi dot rritje të mirëqënies. Kushdo që pengon reformën në drejtësi i ka dalë përballë qytetarit shqiptar duke e penguar atë për punësim, duke e penguar familjen e tij për mirëqënie dhe duke i vënë stërkëmbëshin një shteti që do të ishte shtet i drejtë në favor të qytetarit”.

Ahmetaj tha se Partia Socialiste dhe aleanca qeverisësë do të vijojnë të kërkojnë me ngulm realizimin e kësaj reforme.

“Politika shpesh herë furnizon me më shumë besim aktorët ekonomikë ose bën akte politike ose parapolitike për të rrëzuar besimin dhe rritjen në disfavor të vendit, sipërmarrjes dhe qytetarit. Ne, PS, qeveria e aleancës nëse do, ne ngulim këmbë për reformën në drejtësi dhe do të vazhdojmë të ngulim këmbë për reformën në drejtësi sepse reforma në drejtësi e çon Shqipërinë në nivelin tjetër drejt BE dhe besimin e qytetarëve në një nivel akoma më të lartë tek institucionet, ekonomia, politika, gjykatat, prokuroria”.

Ministri i Financave iu përgjigj interest për rrugën e Arbrit, teksa tha se ajo do të hyjë si premtim fushate edhe në këto zgjedhje parlamentare. Ministri tha se ky projekt është në një proces të avancuar./k.k/noa.al